Java e gjuhës italiane zbret në Fier dhe Gjirokastër
Pas Tiranës, edicioni i nëntë i javës së gjuhës italiane është i pranishëm me aktivitete edhe në qytetet e Fierit dhe Gjirokastrës. Në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e teatrit "Bylis", ka qenë vet konsulli italian me seli në Vlorë ai që ka hapur siparin e këtij aktiviteti. "Nuk kishte si të mos e zhvillonim këtë aktivitet edhe në Fier, një qytet shumë i gjallë ndaj dhe vendosëm ta përfshijmë në nismën tonë", ka theksuar Sergio Strozzi. Vlora dhe Berati janë dy qytete të tjera ku do të organizohen këto aktivitete. Java e gjuhës italiane në botë, promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane dhe nga Accademia della Crusca me qëllim përhapjen e gjuhës italiane nëpër botë, në Fier u servir ndryshe. Makinat e Leonardo da Vinçit ishin në themel të këtij aktiviteti, i cili u bazua më tepër në gjuhën e shkencës, por jo e ndarë nga teknologjia dhe arti. Në fletëpalosjen e servirur për të gjithë të pranishmit u paraqitën 40 riprodhime të bazuara në projektet e Leonardo da Vinçit. Ndërsa në Gjirokastër java e nëntë e gjuhës italiane është vendosur në ambientet e universitetit ku është çelur një kurs ndërkombëtar për studentë dhe operatorë teknikë të sektorit të pasurisë kulturore, që lidhet me formimin e specialisteve dhe vullnetarëve për mbrojtjen e pasurisë kulturore në situata emergjencash (tërmete, përmbytje, rrëshqitje dheu etj.)
Në kuadër të kësaj jave ndërkombëtare u organizua edhe një ekspozitë fotografike, përgatitur nga arkitekti italian Simone Mazzetto,e titulluar "Gjuha arkitektonike italiane në Shqipëri; Shënime udhëtimi". Nesër, Konsullata e Përgjithshme Italiane në Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Gjirokastrës dhe Zyrën e Administrimit të Qendrës Historike do të çelin një tjetër ekspozitë fotografike për qendrën historike të Gjirokastrës.
m.t, e.s