E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare, për letërsinë dhe diktaturën në Spanjë

Sot pasdite, në Oviedo të Spanjës, Ismail Kadare do të marrë zyrtarisht çmimin "Princi i Asturias" për Letrat. Shkrimtari i njohur shqiptar do të jetë i pari që do të mbajë fjalimin e tij në ceremoninë zyrtare që do të organizohet sot, në orën 18.30, në Teatrin Campoamor të Oviedos. Pas tij, tri fitues të tjerë të çmimit, përkatësisht ai për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Komunikimin, Shkencat Humane dhe Harmoninë, janë përzgjedhur për të mbajtur referate. I pranishëm prej dy ditësh në Spanjë, Kadare ka qenë në vëmendje të mediave spanjolle. Programi i aktiviteteve të këtij çmimi, që renditet i dyti pas "Nobel"-it për nga rëndësia, kishte parashikuar dy konferenca shtypi për shkrimtarin shqiptar, njëra prej të cilave e moderuar nga Ramon Sanchez Lizarralde, përkthyesi në spanjisht i Kadaresë. Fituesit e çmimeve "Princi i Asturias" u lajmëruan që në muajin qershor të këtij viti. Juria e vlerësoi shkrimtarin shqiptar si një zë universal kundër totalitarizmit. Kadare la pas emra të njohur të letërsisë si Milan Kundera, japonezin Haruki Murakami, kanadezen Alice Munro, shkrimtarin Antonio Tabuchi, etj. Në intervista të shumta, mediat spanjolle e kanë përqendruar vëmendjen te marrëdhënia e shkrimtarit me diktaturën, letërsinë e shkruar prej tij gjatë kësaj kohe, për Enver Hoxhën, për Kosovën deri edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. I pyetur nga gazeta "La Nueva Espana" ("Spanja e Re") nëse ndiente që çmimi "Princi i Asturias" është një çmim edhe për Shqipërinë, Kadare është përgjigjur: "Kjo është një çështje që u përket atyre që japin çmimin. Nuk e marr fare në konsideratë faktin që i adresohet Kadaresë apo Shqipërisë. Është sekret. Me raste, çmimet i jepen një shkrimtari dhe jo një vendi. Herë të tjera u jepen si shkrimtarit ashtu edhe vendit nga vjen. Kjo varet nga juria". Kadare, i përkthyer në shumë gjuhë të botës, është i pranishëm me librat e tij edhe për lexuesin spanjoll. Por shkrimtari refuzon ta pranojë faktin që letërsia është në shërbim të informimit të një lexuesi joshqiptar mbi historinë shqiptare. "Nuk besoj se është ky funksioni i letërsisë. Në mënyrë indirekte ndodh kjo, por qëllimi i produktit letrar nuk është të furnizojë lexuesit me të dhëna gjeografike, historike apo me kuriozitete. Është politika dhe skandalet ato që informojnë mbi një vend, por jo letërsia", ka thënë Kadare. Pothuajse në të gjitha intervistat dhënë shtypit spanjoll, është i pashmangshëm interesi për të ditur raportet mes shkrimtarit dhe diktaturës. Pyetjes nëse ai ndjehet i paragjykuar si person apo në krijimtarinë e tij letrare për faktin se ka shkruar dhe ka botuar në regjimin e Enver Hoxhës dhe nëse janë këto ndikime që e pengojnë të marrë çmimin "Nobel" kur është çdo vit mes të favorizuarve, shkrimtari është përgjigjur: "Në thelbin e saj, letërsia është indiferente ndaj regjimit, se përndryshe ai nuk do të rrëzohej. Unë e kam marrë këtë çmim për librat e shkruar në atë kohë dhe nuk besoj se Fondacioni Principe i Asturias nuk ka dashuri për komunizmin. Kur je shkrimtar në një vend totalitar, ka dy këndvështrime nga jashtë: ose do të konsiderojnë si hero, meqenëse ke shkruar në kushte të vështira, ose do të konsiderohesh fajtor sepse ke jetuar dhe shkruar në një regjim të fortë pa u vrarë ose pa u dënuar. Herë është njëra dhe herë tjetra. Këtyre këndvështrimeve nuk i kam shpëtuar as unë. Ky është një keqkuptim i madh sepse letërsia është letërsi, ka ligjet e veta dhe duhet gjykuar sipas tyre. Nuk duhet ekzagjeruar nga asnjë këndvështrim. Të kritikosh apo të publikosh shkrimtarë që jetojnë në regjime totalitare është shumë e thjeshtë, është si një lloj sporti", ka thënë shkrimtari, i cili në vazhdim të deklarimeve të tij ka theksuar se rënia e komunizmit nuk ka sjellë lëvrimin e ndonjë letërsie të madhe shqiptare.

ol.li

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›