Java e kulturës dhe e historisë së Çamërisë

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi se “çështja çame, traditat dhe kultura e kësaj krahine u përket të gjithë shqiptarëve”. Kjo parti i organizoi veprimtaritë në bashkëpunim me shoqatat “Çamëria” dhe Klubin e Patriotëve të Rinj. Për të marrë pjesë në këto veprimtari kanë mbërritur edhe shumë të rinj nga Kosova, krahas atyre nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
“Sot, ne bashkohemi të gjithë për të përkujtuar martirët e Çamërisë. Kjo javë është e të gjithë shqiptarëve, se Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Ne mund të themi me bindje se çështja çame është sot më e fortë se kurrë, e ka fituar betejën me kohën dhe jemi më të vendosur se kurrë të çojmë deri në fund kauzën çame”, tha Idrizi.
Sipas organizatorëve, gjatë kësaj jave çështja çame do të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët do të informohen për historinë e banorëve të asaj treve. Po ashtu, një varrezë monumentale do të ngrihet në Kllogjër të Sarandës, ku më shumë se tre mijë shqiptarë të Çamërisë humbën jetën nga dhuna greke.