E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komente pozitive për koncertin e Ratkocerit

I riu ferizajas, Shaban Ratkoceri, i cili është në prag të përfundimit të studimeve në degën e muzikës në Universitetin e Prishtinës, u ka lënë mbresa dashamirëve të muzikës me koncertin e parë të tij me orkestrime të këngëve popullore.

Ky entuziast i muzikës, i cili krahas punës edukative që po bënë me nxënësit e Shkollës së Mesme të Muzikës "Çesk Zadeja” është në rrugë të mirë që t’i prekë majat e suksesit në fushat e ndryshme të muzikës.

Te dhjetë këngët e orkestruara nga ai ishin punuar nga profesoresha e muzikës dhe dirigjentja, Lindita Isufi, e cila së bashku me orkestrin, në përbërjen e së cilës ishin nxënës dhe studentë të muzikës nga Ferizaj, dëshmuan se ky qytet gradualisht po e krijon bërthamën e orkestrit të vet artistik.

Pas koncertit, Shabani, ka thënë për Kosovapress, se ky koncert është i pari i këtij lloji në Ferizaj dhe se ky është vetëm fillimi i një pune që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai ka thënë se i ka mbetur edhe pak deri te diplomimi, ndërsa punën me nxënës e ka objektiv parësor, por pa lënë anash edhe anën shpirtërore që i ofron muzika e veçanërisht kompozimi.

Fjalë të mira për këtë koncert kanë dhënë edhe kolegë të Shabanit, duke thënë se te ky krahas talentit po shihet edhe entuziazmi dhe përkushtimi për muzikën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›