Java e vaksinimit masiv të studentëve, Rama: Përgjegjësi qytetare!

Kryeministri Edi Rama inkurajoi të gjithë studentët ende të pavaksinuar, të shfrytëzojë javën e ardhshme për t’u vaksinuar, si rruga për të hyrë në auditor me të tjerët. “Mirëmëngjes dhe me inkurajimin ndaj çdo studenteje e studenti që nuk është vaksinuar ende, që të shfrytëzojë “Javën e vaksinimit masiv të studentëve” mes datave 11-17 tetor në fakultetin ku studion, si rrugën për të hyrë në auditor me të tjerët dhe njëkohësisht si një detyrim moral e përgjegjësi qytetare në mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi një ditë më herët se me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor, fokusi të jetë vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi.
![]()