"Je shqiptar? Bileta 10 herë më shtrenjtë"
TIRANE-Një telefonatë e bërë në një nga agjencitë e shitjes së biletave në Budapest, ka zbuluar një gjë vërtetë të pakëndshme në lidhje me biletat për ndeshjen Shqipëri-Hungari. Tifozët shqiptarë të pranishëm në kryeqytetin hungarez kanë denoncuar dje në "Gazetën Shqiptare" faktin se biletat për ta janë duke u shitur 10 herë më shtrenjtë sesa ato për tifozët vendas. "Telefonova për të prenotuar dhe më thanë se për tifozët vendas biletat janë 4 euro, ndërsa për ata shqiptarë 40. U habita nga ky diskriminim", tha një prej tifozëve shqiptarë të pranishëm në Budapest, duke denoncuar këtë në "GSH". Punonjës të agjencisë kanë pohuar se kjo bëhet pas informatave të marra se në stadium do të jenë afro 1 mijë tifozë shqiptarë dhe frika se mos shumë bileta të marra prej tyre përfundojnë në treg të zi. Nga këta, vetëm 200 pritet të udhëtojnë nga Rinasi, ndërsa pjesa tjetër jeton në vende të ndryshme të Evropës.
(d.b/Balkanweb)