E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jemi i vetmi vend që përdorim IA-në për integrimin” Rama Kjo qeveri s’ikën pa çuar Shqipërinë në BE

Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato zhvilluan një konferencë për shtyp pas progres-raportit të dalë një ditë më parë nga Samiti i Zgjerimit të BE-së në Bruksel.

Duke komentuar gjetjet e raportit, Kryeministri Rama u shpreh me vendosmëri se qeveria aktuale është e angazhuar deri në fund për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se qeveria e tij nuk do të largohet pa e bërë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian.

“Kjo qeveri nuk largohet pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së,” deklaroi ai, duke e cilësuar këtë si një detyrim historik dhe një angazhim politik që nuk do të komprometohet.

Kryeministri Rama theksoi se suksesi i deritanishëm nuk është rastësor, por rezultat i një përgatitjeje të gjatë dhe të qëndrueshme.

 “Grupi ynë negociator ka shkëlqyer në këtë proces, sepse nuk ka vajtur në tryezën e negociatave për të mësuar aty çfarë duhet bërë, por ka qenë mirë-stërvitur gjatë epokës së poshtërimit të Shqipërisë. Sot, ne i dimë shumë mirë detyrat,” deklaroi ai.

Një nga elementët që e veçon Shqipërinë në rajon, sipas Kryeministrit, është përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin e integrimit.

“Jemi i vetmi vend në rajon që përdor Inteligjencën Artificiale në këtë proces dhe falë Diellës ne bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të BE-së për t’u adoptuar në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë,” tha Rama, duke shtuar se puna po kryhet me përpikmëri dhe durim për të adresuar çdo problem të evidentuar në raport.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri pati një mesazh edhe për ata që nuk e mbështesin qeverinë, duke thënë se  “Shpresoj që këtë urim ta marrin siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeverinë, por që sot duhet të ndihen më mirë, sepse sa më pranë të jemi me BE-në, aq më shumë do të ketë përkujdesje për ta. Ndihuni mirë që të gjithë, qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarët, sepse kjo qeveri ka bërë detyrat si për mbështetësit, si për kundërshtarët. Kjo e jona nuk shkon pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së.”-tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›