E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemi krenarë që jemi pjesë e Procesit të Barcelonës përkrah të gjithë vendeve të tjera të Mesdheut.

 

Fjala e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Seminarin :   Shqipëria dhe Procesi i Barcelonës Bashkimi  për Mesdheun. Sfida dhe mundësi
Të nderuar pjesëmarrës,
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar  ambasadorë,
Jam e lumtur që jemi mbledhur në Tiranë për të diskutuar për Procesin e Barcelonës dhe rolin e EMPA-s, ndërkohë që jehona e Samitit të Parisit për Mesdheun, mbajtur në 13 Korrik 2008 është ende e gjallë. Është një fakt i pamohueshëm që ky Samit, së bashku me risitë e tij, i solli një frymë të re Procesit të Barcelonës në tërësi, duke e bërë më të prekshëm, më të kuptueshëm, më aktual. 
Shqipëria, krenare për faktin që bën pjesë në këtë rajon e ka mbështetur fuqishëm Procesin e  Barcelonës, qysh në fillimet e tij. Jemi krenarë që jemi pjesë e këtij Procesi përkrah të gjithë vendeve të tjera të Mesdheut, çdo popull i të cilit është dalluar për pasurinë e jashtëzakonshme njerëzore, natyrore, të civilizimit, etj.
Ky Proces shërben si një mjet drejt paqes, drejt sigurisë dhe zhvillimit, progres i së cilës shpeshherë pengohet nga konflikte të vjetra dhe përpjekje të pasuksesshme e reforma të brishta.
Ne shqiptarët, me dëshirën e madhe për përparim, nuk duam të jemi thjesht  spektatorë, porn e duam që të  ofrojmë sa më shumë që të jetë e mundur rolin tonë në zhvillimet e rajonit.
Ne dëshirojmë të bëjmë më intensive e praktike praninë tonë në këtë proces dhe këtë e dëshmon edhe kërkesa jonë për tu bërë pjesë e Asamblesë Parlamentare Euro-Mesdhetare (EMPA), e cila është shprehja parlamentare e Procesit të Barcelonës- Bashkimi për Mesdheun.
Një fakt që vlen të përmendet në lidhje me EMPA-n është përbërja e saj ku bashkërendojnë punën përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare, që marrin pjesë në Procesin e Barcelonës dhe përfaqësues të Parlamentit Europian.
Roli i kësaj Asambleje parlamentare është të zhvillojë marrëdhëniet ndërparlamentare, duke i bazuar veprimet e veta në parimet e barazisë, përgjegjësisë dhe solidaritetit.
Një vlerë e pamohueshme është edhe sigurimi i ndikimit, input-it dhe mbështetja për konsolidimin dhe zhvillimin e Partneritetit Euro-Mesdhetar.
Shprehja e pikëpamjeve të veta mbi të gjitha çështjet që kanë lidhje me Partneritetin, duke përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjeve të asocimit si dhe aprovimi i rezolutave dhe rekomandimeve e bën prezencën e kësaj Asambleje gjithmonë aktuale. 
Në takimin e Parisit, Presidenti Potering u shpreh se duhet të përpiqemi të gjithë bashkë për ta bërë EMPA-n një pjesë integrale të makinerisë institucionale të Procesit të Barcelonës- Bashkimi për Mesdheun Dhe kuptohet është kryesisht detyrë e jona, e parlamentarëve për të punuar edhe më shumë për tI bërë realitet të gjitha objektivat e EMPA-s, Procesit të Barcelonës, dhe cdo procesi tjetër që do të sigurojë paqe, stabilitet dhe zhvillim,

Unë jam shumë e lumtur që pas pas pak javësh, së bashku me kolegë të delegacionit shqiptar dhe kolegë të tjerë të mi do të jemi në Jordani, për të marrë pjesë, për herë të pare, në këtë asamble, së pari me statusin e vëzhguesit, duke menduar dhe duke shpresuar se herën e ardhshme do të jemi anëtarë të plotë të kesaj asambleje parlamentare. Ndaj dhe, në këtë proces Parlamenti shqiptar ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në lidhje me aplikimin e një dimensioni tjetër, të diplomacisë, atë parlamentare, gjithnjë në funksion të përmbushjes së objektivave kryesore të vendit tone, lobimin për shtysat e mëtejshme në integrimin e Shqipërisë drejt BE-së, lobimin për tu anëtarësuar në NATO. Angazhimi intensiv i Parlamentit ka si qëllim, natyrisht, të përçohen sa më shumë zërat, sa më shumë lajme të mira për Shqipërinë në sa më shumë vende. Pavarësisht karakterit pluralist të institucionit ligjvënës, mazhoranca dhe opozita janë në një emëruar të përbashkët për sa  i përket pjesëmarrjes së angazhimit të vendit tonë në procesin e Barcelonës - Bashkimi për Mesdheun.
Unë  siguroj se Parlamenti do të vazhdojë të ruajë vëmendjen dhe ndieshmërinë e tij në këtë nisëm. Ne kemi çti sjellim rajonit dhe këtij procesi, si nga përvoja jonë e suksesshme në stabilizimin e plotë politik dhe ekonomik të vendit, ashtu dhe në rolin inkonstruktiv në Ballkanin Perëndimor, si nga harmonia e pashembulllt fetare, ashtu edhe nga bashkëjetesa e shkëlqyer ndëretnike, si nga qenësia dhe veçanësia jonë kombëtare, ashtu dhe nga indentiteti dhe përkatësia jonë europiane, mesdhetare.
Unë dua dhe njëherë, të falënderoj ambasadorin spanjoll këtu në Tiranë për organizimin e kësaj konference, ambasadorin e ardhur për herë të dytë këtu dhe natyrisht dhe qeverinë spanjolle qa ka bërë të mundur që ne të jemi pjestarë aktiv të kësaj iniciative.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›