E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jemi në 100 metrat e fundit drejt BE”, Rama: Më 16 maj Tirana epiqendra e politikës europiane, Shqipëria në vëmendjen e botës

Kryeministri Edi Rama zhvilloi të enjten rubrikën e tij të përjavshme “Sy më Sy” me ndjekësit në Facebook, tha më 16 maj Tirana do të jetë mikpritëse e një ngjarjeje të rëndësishme europiane.

Sipas Ramës, kryeqyteti shqiptar do të kthehet në epiqendrën e politikës europiane, në një moment vendimtar për të ardhmen e kontinentit. Takimi pritet të trajtojë çështje të rëndësishme si siguria, rritja ekonomike dhe përballimi i kostove të larta të jetesës.

“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë, jo vetëm për të promovuar imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, por edhe për të nxitur turizmin, pasi vëmendja e mediave botërore do të jetë e përqendruar tek ne,” u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu pjesëmarrjen e kancelarit të ri të Gjermanisë në këtë takim, duke e cilësuar si një tjetër dëshmi të rëndësisë që po merr Shqipëria në skenën europiane.

“Jemi në 100 metrat e fundit drejt integrimit europian. Tani është koha për të mbyllur përfundimisht hendekun historik me Europën. Shqipëria duhet të jetë anëtare e Bashkimit Europian,” deklaroi Kryeministri.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›