E Diel, 1 Nëntor 2026

Jemi një shoqëri frikshmërisht homofobike

Share

Nga Arben Idrizi

Ne si shoqëri e kemi privuar veten nga njerëzorja, e kemi përdhosur shenjtërinë njerëzore e të qenit tolerantë, të durueshëm, mirëkuptues, respektues ndaj tjetrit, ndaj diversitetit. Ne jemi shoqëri e sëmurë, fashiste deri në palcë, jotoleruese, paragjykuese, urrejtëse.

Më ka bërë vaki ta përdor një konstatim të tillë edhe më parë. Në raste të ndryshme. Jo që do të ishte një konstatim që do ta thosha me ndonjë kënaqësi. Mirëpo, duke pasur guximin ta shprehim bindjen tonë intime siç do të kërkonte Seneca, dhe duke e mëtuar dhe dëshiruar një shoqëri të ngritur, morale dhe humane, mendoj se është një konstatim që duhet thënë me kënaqësi. Duhet ta themi me kënaqësi, si një mundësi për ti ndryshuar gjërat për mirë. Ndryshe vazhdojmë të zhytemi thellë e më thellë në llumin e të keqes.

Më ka bërë vaki ta përdor kur kam hetuar nacionalizmin e shfrenuar (mbiemri mund të jetë i tepërt, vetë emri implikon mjaft) që na bën ti urrejmë, ti përjashtojmë, të mos i tolerojmë e deri edhe ti vrasim etnitë tjera.

Më ka bërë vaki ta përdor kur kam hetuar fantazimin politik dhe ideologjik, që na bën ta urrejmë, ta poshtërojmë, të mos e tolerojmë dhe ta mbysim frymën tjetër politike.

Më ka bërë vaki ta përdor kur kam hetuar e këtu dua të ndalem përsëri qëndrimin jonjerëzor shoqëror ndaj homoseksualizmit.

Kohë më parë kisha shkruar edhe për qëndrimin, në njëfarë mënyre institucional, ndaj homoseksualizmit, duke marrë shkas emërimin për postin e ministrit të dy personave, të cilët më herët, në aktivitetet e tyre profesionale kishin pasur qëndrim të frikshëm, krejt jonjerëzor. Ata ende vazhdojnë ta ushtrojnë detyrën e tyre dhe kurrë se kanë marrë mundin ti rishikojnë publikisht qëndrimet e tyre të tilla.

Së fundi, shoh me trishtim dhe dhimbje deklaratat e qytetarëve, e pastaj dhe mbi të gjitha komentet e lexuesve virtualë në një tekst botuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, dhe bartur nga pothuajse të gjitha portalet, përkitazi me homoseksualizmin në Kosovë.

Shumica e këtyre deklaratave dhe komenteve, »aksioneve tekstuale«, arrijnë deri te thirrja për zhdukjen fizike e qenieve njerëzore me prirje seksuale ndaj gjinisë së njëjtë.

Pse u kushtojmë rëndësi këtyre komenteve?

Ngase janë, ndër të tjera, një matës i kulturës, disponimit, qëndrimit, botëkuptimit shoqëror. Nëse tetë ose nëntë nga dhjetë komentuesit shprehen kundër, ose tamam kërkojnë eliminimin fizik të homoseksualëve; kjo do të thotë po ashtu se këta tetë ose nëntë nga dhjetë komentuesit janë të gatshëm të bëhen ushtarë në luftën e tyre barbare, të hapur ose të fshehtë, kundër homoseksualizmit. Në mënyra të ndryshme, organizative ose kaotike, grupore ose individuale.

Duke pasur si pretekst paragjykimet, bindjet personale fanatike kulturore ose religjioze. Duke qenë pre e naivitetit, verbërisë, manipulimit që u bëhet nga instanca ekzistuese ose jo, ndaj të cilave janë të përkushtuar. Jo duke e pranuar se po e keqtrajtojnë, poshtërojnë e vrasin një qenie njerëzore si të tillë, por duke e zhveshur nga ky tipar, duke ia mohuar këtë realitet dhe këtë të vërtetë.

Që të shkosh deri këtu, duhet të jesh më shumë e më keq se egërsirë. Më shumë e më keq se egërsirë, ngase as egërsirat, që të shprehemi në gjuhën natyraliste, nuk ia mohojnë realitetin dhe të vërtetën egërsirës tjetër.

Homoseksualët në Kosovë nuk guxojnë të deklarohen publikisht. Megjithë mbrojtjen në letër kushtetuese, ata nuk gjejnë shpesh as mbrojtje ligjore. Ka një fenomen të çuditshëm që mund ta verifikojë secili. Pra, nuk është shteti ai që i persekuton hapur homoseksualët. Është shoqëria, ndërtuesja dhe mirëmbajtësja e shtetit, ajo që i persekuton, frikëson dhe vret; ajo që nuk u jep liri, të drejtë, guxim dhe përkrahje për tu deklaruar lirisht në të drejtën e tyre natyrore e ligjore, për ta manifestuar dhe përjetësuar hapur orientimin e tyre seksual.

Me këtë, po shprehem qoftë edhe brutalisht, ne si shoqëri e kemi privuar veten nga njerëzorja, e kemi përdhosur shenjtërinë njerëzore e të qenit tolerantë, të durueshëm, mirëkuptues, respektues ndaj tjetrit, ndaj diversitetit. Që, nga ana tjetër, do të thotë e kemi legjitimuar jo vetëm të keqen që ne ua bëjmë të tjerëve, por edhe të keqen që të tjerët do të mund të na e bënin neve.

Si shoqëri, një hap të dukshëm drejt njerëzores do ta kishim manifestuar në momentin që një bashkëqytetar yni, homoseksual, do të ndjente lirinë e natyrshme që të dalë në një televizion publik dhe të flasë hapur dhe natyrshëm për veten e tij. Kjo sot nuk mund të ndodhë. Nuk mund të ndodhë sepse ai nuk e ka guximin, duke e njohur barbarinë e shoqërisë, ta bëjë këtë hap; nuk mund të ndodhë, sepse televizioni publik nuk do tia mundësonte këtë, duke e ndjekur disponimin e publikut të vet, i cili do të ishte kundër asaj shfaqjeje; nuk mund të ndodhë, sepse ai e di se posa të dalë nga studioja mund ta rrahë, poshtërojë a vrasë ndonjë bashkëqytetar i vet, për më tepër duke e pësuar pastaj edhe indiferencën ose tamam tumirjen e organeve të rendit dhe shoqërisë në tërësi ndaj një akti të atillë.

Një bashkëqytetar yni, një qenie njerëzore si ne, me orientim seksual ndryshe, me të gjitha të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë, megjithatë nuk e gëzon në praktikë lirinë e tij të shenjtë njerëzore seksuale. Nuk e gëzon lirinë e (vetë)njohjes si i tillë nga shoqëria. Çfarë bëjmë ne? Në vend se ta inkurajojmë në lirinë e tij seksuale, ashtu siç e inkurajojmë veten në liritë tona, e dekurajojmë; në vend se ta njohim dhe gjejmë veten në te si qenie njerëzore, ne e përjashtojmë dhe mohojmë veten në te.

Del se te ne, ligjet janë njerëzore; shoqëria është jonjerëzore. Ky paradoks në pak vende mund të ndodhë.

Sa më shumë e më keq se egërsirë duhet të jemi që të mos e kuptojmë, dimë e pranojmë se edhe homoseksualizmi është, përveç e drejtë njerëzore ligjore, një virtyt, një dhunti hyjnore e qenies njerëzore?

Që të dalim nga ky barbarizëm jo vetëm si shoqëri por edhe si qenie njerëzore në vete e për vete, duhet të mësohemi ti njohim, kuptojmë dhe pranojmë virtytet e homoseksualizmit. Virtytin e të dashuruarit, për të cilin ne mbitëgjitha kemi nevojë për vete dhe të cilin po ashtu po ua mohojmë të tjerëve. Ne nuk po »bëhemi« Qenie në Dashuri. Ne po mbesim qenie në barbarizëm. Ne po e përdhosim në parim një nga vlerat më të larta të njerëzimit: Dashurinë.

Të mohosh dhe vrasësh dashurinë, a nuk është kjo një tregues i barbarisë?

A nuk jemi ne njëmend barbarë?

Jemi që çkeni me të!

respublica.al

http://respublica.al/opinion/2011/12/6/jemi-nje-shoqeri-frikshmerisht-homofobike

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›