E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferma e prodhimit të mishit

06-12-2011 / Nga Çezar Agimi

Në vend të hyrjes/I vlerësoj dhe mbështes të gjitha përpjekjet e KASH, (këshilli kombëtar i agrobiznesit shqiptar), në organizimin e konferencës kombëtare “Zhvillimi i prodhimit të mishit - sfidë e blegtorisë shqiptare”, të organizuar mjaft mirë e me shumë kujdes para disa ditëve sallën e mbledhjeve të Hotel - Restorant Pilo Lala dhe fermën “Maçi”, në rrethin e Lushnjes, së qarkut të Fierit. Ky qark pas vitit 2005 mbarështon mbi 15 % të strukturës së blegtorisë në shkallë vendi e prodhon më shumë se 21 % të qumështit dhe 17 % të mishit në shkallë vendi. Si specifikë duhet përmendur se në këtë qark prodhohet 23 % e qumështit të lopës dhe mbi 32 % e mishit të shpendëve në shkallë republike. Në raport me rrethet e tjera të vendit, numri i fermave të fuqishme që dalin me shumë sukses në treg prej disa vitesh është i konsiderueshëm, duke mos dalluar tashmë edhe me fermat më të mira në Bashkimin Europian. Tregues i qartë i kësaj rritjeje përveç ngritjes së rendimentit për krerë lopë foragjere në 7000 - 8000 litra, është edhe dyfishimi i çmimit të shitjes së qumështit pas vitit 2005, nga 20 - 30, në 55 - 60 lek/kg. Nuk ka diskutim se kjo përpjekje serioze e KASH - it në bashkëpunim me sektorin e prodhimit blegtoral në Drejtorinë e Politikave në Ministrinë e Bujqësisë dhe departamentin e blegtorisë pranë Qttb - F.Krujë duhet përshëndetur për faktin se ai tentoi të marrë përsipër hedhjen në tregun e politikës së madhe, krahas të tjerave si ajo e arrorëve, pemëve frutore, ullirit, bimëve mjekësore, edhe sfidën e prodhimit të mishit në vend nga fermerët tanë. 
Rritja e prodhimi i mishit në vend/Për ta shrehur më mirë ecurinë e prodhimit të mishit në Shqipëri mund ta vendosim atë në dy tregues që përmbledhin 20 vitet e fundit të shprehur në 000 / ton: viti 1990, 92;  viti 2010, 145. diferenca 10/90  =  53 ose 58 % .
Më e madhe rritja ka qenë në mishin e shpendëve me rreth 90 % dhe në atë të gjedhit e të të imtave respektivisht me 70 dhe 76 %, ndërkohë që për arsye objektive ai i derrave ka pësuar rënie deri para pak viteve, me tendencë të shtimit në 3 - 4 vitet e fundit si pasojë e politikave dëshirë mirë të Qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë. I gjithë ky shtim prodhimi është shoqëruar në këto vite edhe me rritjen e të ardhurave të fermerëve nga shitja e tyre në treg me çmime më të larta, rritja mesatare vjetore e të cilave sipas llojeve të mishit varion nga 1.9 % tek derri në 5.3 % tek mishi i kecit, duke përmendur këtu edhe mishin e viçit dhe të qingjit me rritje respektive 3.8 dhe 4.3 %. E thënë ndryshe, sot fermerët në mbarë vendin jo vetëm që fitojnë më shumë para nga shitja e prodhimeve blegtorale, por ajo ç’ka duhet theksuar është se ata sot ndjehen më shumë se kurrë zot të mallit të tyre. Ata kanë më shumë dinjitet në treg në raport me grumbulluesit e bagëtive, të cilët falë mungesës së shumë faktorëve pro fermerëve, gjithnjë kanë patur tendencë të zhvleftësojnë mallin e blerë kryesisht në zonat kodrinore e malore të vendit, aty ku sot prodhohet mbi 50 % e sasisë së mishit në shkallë vendi.
Sugjerim mbi materialin bazë/Dy ishin materialet bazë të cilët përbënin edhe konceptet mbi të cilat ishte ngritur konferenca kombëtare; pjesa tjetër e konferencës ishin materiale dhe diskutime të aktorëve të interesuar për prodhimin e mishit në vendin tonë, si fermerë, shoqata fermerësh, diskutantë të ndryshëm të ftuar nga institucionet e administratës bujqësore në shkallë vendi, etj. Midis të tjerave, lidhur me një nga masat e mundshme për shtimin e prodhimit të mishit të gjedhit (nënkupto të viçit…), nga grupi i punës u rekomandua se: …. nuk duhet të lejohen fermerët që viçat të theren para moshës 10 muajshe e me peshë të gjallë nën 400 kg …”, sepse në pjesën më të madhe viçat nga ana e fermerëve theren në mosha të hershme dhe pesha të vogla.
Personalisht mendoj se kjo ide e hedhur është e gabuar e konkretisht ka të bëjë me koncepte urdhëruese ndaj pronës së tjetrit, të cilat bien ndesh me pronën private të fermerëve dhe të drejtën e tyre të patjetërsueshme për të qenë ata dhe vetëm ata të cilët mund të menaxhojnë pronën e tyre në kushtet e tregut, edhe pse në fund të fundit blegtoria private është pronë kombëtare. Kësisoj rekomandimi i mësipërm në adresë të vendim - marrësit në pamje të parë duket si një mundësi me të vërtetë e konsiderueshme për shtimin e prodhimit të mishit të viçit në shkallë vendi, por në fakt politikë - bërësi sipas meje duhet të bëjë kujdes, sepse ai tenton të mos respektojë të drejtën universale të fermerit ndaj pronës së tij.
Logjika e tregut të ndihmon/Si në çdo marrëdhënie pronësie dhe ekonomike ndaj tregut në tërësi, edhe në këtë rast ka një zgjidhje me mekanizëm ekonomik, ose me logjikën e tregut, të cilin po mundohem ta analizoj e propozoj më poshtë. Logjika është më se e thjeshtë …ashtu si deri tani që politikat e Ministrisë së Bujqësisë në fushën e blegtorisë gjatë 4-5 viteve të fundit kanë synuar me shumë sukses krijimin e fermës blegtorale, (psh: numri i fermave më lopë qumështi që dalin në treg është 3 - 4 fishuar), e njëjta logjikë pune duhet ndjekur edhe më krijimin e fermave me viça për mish, të cilat gjatë gjithë vitit mbarështojnë mesatarisht një numër të caktuar krerësh (10-40 krerë), pavarësisht moshës së tyre biologjike dhe i mundshëm për t’u kontrolluar të paktën dy herë gjatë një viti kalendarik në një interval 6 muajsh nga ana e organeve kompetente shtetërore që merren me pagesën e subvencioneve falas ndaj fermerëve. Alternativa të tjera që qarkullojnë shpesh në mjediset e politikave blegtorale për nxitjen e prodhimit të mishit, janë edhe ato të aplikimit të subvencioneve shtetërore me koefiçentë pagese për çdo kg peshe të gjallë të realizuar mbi një moshë e peshë standarde të caktuar. Edhe kjo e fundit, në dukje e saktë, për mendimin tim sot për sot është e parakohshme për shumë arsye, mbi të gjitha për mungesën e infrastrukturës së domosdoshme e të besueshme për t’u realizuar me transparencën e nevojshme për të gjitha palët e përfshirë në to.
Për sot, alternativë e vetme/Si e tillë alternativë e vetme për shtimin e prodhimit të mishit në  mbarë vendin është ajo e krijimit të fermës blegtorale për mish; e realizuar tashmë me shumë sukses prej vitesh me prodhimin e mishit të shpendëve nga brojlerët, ku një numër mjaft i kufizuar pularish për mish vetëm 10 - 12 syresh, prodhojnë 35- 40 %  të këtij mishi në shkallë vendi. Avantazhet kryesore të kësaj alternative mendoj se në kushtet e sotme të zhvillimit të blegtorisë janë disa: së pari është transparenca e zhvillimit  numerik të fermës që aplikon për subvencion në çdo kohë të vitit; së dyti është thjeshtësia e kuptimit nga ana e fermerëve për të aplikuar , së treti është thjeshtësia, shpejtësia dhe lehtësia e organeve të kontrollit në verifikimin e pagesave të përftuara nga fermerët dhe së katërti kjo alternativë ka të bëjë me krijimin e mirë-besimit ndaj palëve të përfshira në këtë proces , mbi të gjitha ndaj politikave të Ministrisë së Bujqësisë e Qeverisë në përgjithësi …., ku kjo e fundit duhet thënë se është arritur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›