Jepet çmimi “Nobel” në Fizikë, dy shkencëtarët vlerësohen për rrjetet nervore artificiale në makineri

Profesorët John Hopfield dhe Geoffrey Hinton janë nderuar me çmimin Nobel të këtij viti në Fizikë. Ata u shpërblyen për zbulimet që mundësuan mësimin e makinerive me rrjete nervore artificiale.
“Laureatët e vitit 2024 përdorën koncepte themelore nga fizika statistikore për të dizajnuar rrjete nervore artificiale që funksionojnë si kujtime shoqëruese dhe për të gjetur modele në grupe të mëdha të dhënash. Këto rrjete nervore artificiale janë përdorur për të avancuar kërkimin në fusha të ndryshme si fizika e grimcave, shkenca e materialeve dhe astrofizika. Janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë”, tha Ellen Moons, kryetare e Komitetit të Nobelit për Fizikën.
Një prej fituesve, Hinton iu bashkua jurisë nëpërmjet një lidhjeje telefonike, ndërsa u shpreh i surprizuar.
“Faleminderit shume! Jam i habitur , nuk e imagjinoja se kjo mund te ndodhte”, tha Hinton.
Këtë zbulim ai e krahasoi me revolucionin industrial.
“Do të jetë e krahasueshme me revolucionin industrial. Por në vend që t’i tejkalojë njerëzit në fuqi fizike, do t’i tejkalojë njerëzit në aftësi intelektuale. Ne nuk kemi përvojë se si është të kesh pajisje më të zgjuara se ne”, u shpreh Hinton.
Hinton tha se ai besonte se efektet e përparimeve në inteligjencën artificiale do të jenë të krahasueshme me ato të Revolucionit Industrial, që do të ndihmojnë në shumë sektorë, duke përfshirë ofrimin e kujdesin shëndetësor.
John Hopfield është profesor në Universitetin e Prestonit dhe Geoffrey Hinton në Universitetin e Torontos, ndërsa për këtë zbulim kanë punuar që nga viti 1980.
Vitin e kaluar, çmimi Nobel në fizikë iu dha franko-suedezes Anne L’Huillier, francezit Pierre Agostini dhe austro-hungarezit Ferenc Krausz për kërkimin e tyre mbi ndezjet e dritës që bënë të mundur të kuptoheshin lëvizjet ultra të shpejta të elektroneve. në atome dhe molekula. /vizionplus.tv