Jepet shfaqja ‘Pluhuri në Pluhur '

Teatri “Istref Begolli” në Pejë dje ka hapur dyert për shfaqjen, ’Pluhuri në Pluhur’ të autores dhe aktores Elizabeth Hess.
Monodrama në fjalë, që është paraqitur para publikut kosovar, njëherit ka hapur edicionin sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtarë të monodramës,‘MonoAkt’ në kuadër të të cilit është shfaqur.
Nën interpretim të vetë autores Elizabeth Hess, kjo monodramë trajton dhimbjet shpirtërore të një femre, viktimë e luftës, e cila ra pre e përdhunimit seksual, e çnjerëzimit dhe shkatërrimit të dinjitetit e integritetit njerëzor te saj.
Duke mos mundur t'i shpëtojë peizazhit të saj të brendshëm, ajo është e detyruar të ballafaqohet me botën traumatike të çdo gruaje e cila ishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur si një taktikë lufte. Përmes identifikimit të ndjesisë së zemrës me secilën grua, ajo arrin deri në kuptimin e të përbashkëtave të njerëzimit.
Shfaqjen ‘Pluhuri në pluhur’ e ka ndjekur për së afërmi edhe drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Emin Emini i cili për Indeksonline shpjegon detaje interesante të shfaqjes në fjalë:
“Kjo grua e përdhunuar ka nevojë të “rrëfehet” para vetes dhe të tjerëve, sepse ky rrëfim është mjeti i saj për të ikur nga vetvetja, e poshtëruar nga të tjerët, por njëkohësisht është edhe mjeti për të tronditur të tjerët (publikun) me atë që dikur ka ndodhur”.
Emini thotë se kjo monodramë, krahas rëndësisë që ka, mbi të gjitha përcjell një mesazh se ajo çfarë ka ndodhur në luftë, nuk duhet lejuar të përsëritet.
“Para së gjithash është mjeti që thërret për vetëdijshmin e çdo qenie njerëzore se ajo që ka ndodhur me gratë dje (në luftë) më nuk guxon të lejohet të ndodhë”, thotë Emini.
Duke qenë mbrëmë pjesë e publikut dashamirës të teatrit, Emini thotë se interesimi ndaj, ‘Pluhiurit në Pluhur’ ka qenë i madh dhe kjo shfaqje është mirëpritur nga audienca.
Festivali “MonoAKT” ka nisur edicionin e pestë dje. Ky festival, ka selektuar për pjesëmarrje 9 shfaqje teatrore nga: USA, Kanadaja, Anglia, Sllovenia, Austria-Bosnia, Tunizia, Rumania dhe Kosova( 2 shfaqje).
Ne konkurrencë zyrtare për çmime të Festivalit do të jenë 7 monodrama ndërsa dy nga ato “Para mengjesit” (Kosova) dhe “10 pyetjet” (Rumania) nuk do të jenë në konkurencë zyrtare.
Ndërsa, për çmimin “MonoStripi” më i mirë i Festivalit do të konkurrojnë 7 studente te Aktrimit me mononperformansat e tyre pa tekst, që është një nga idetë unikate në botë. Datë 22 prill është Nata Solemne e Festivalit në të cilën do të ndahen çmimet e Festivalit “MonoAKT” ../Indeksonline/