Jepi gaz, gaz, gaz!

Olimpiada Londër 2012 do të shndërrohet në festë edhe për teatrin, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për 2012. Foto e aktores protagoniste të ansamblit Isango nga Afrika e Jugut që përfaqësohet me "Venus dhe Adonis" në festivalin Globe to Globe të Shekspirit
Tim de Lisle
Rok pa mbarim
Rendi Njuman shkroi dikur një këngë për jetëgjatësinë e yjeve të rokut, të titulluar Kam vdekur (por nuk e di). Kënga fillonte kështu: Nuk më ka mbetur më asgjë për të thënë/Por do ta them gjithsesi. Kjo ka ndodhur në vitin 1999. Ajo që dukej si satirë, është bërë tashmë një parashikim i saktë.
Pas trembëdhjetë vjetësh, rokerët e vjetër janë pothuaj ende të gjithë në skenë. Në vitin 2012, Sër Pol Makartni, që ende zbulon vende të reja për të kënduar Oh, unë besoj tek e djeshmja, do të mbushë 70 vjeç. Po ashtu edhe Brajan Uillsoni i Beach Boys, dhuntitë e shumta të të cilit si kompozitor dhe përfaqësues i frymës së kohës, e kanë bërë amerikanin më të krahasueshëm me Sër Polin. Z. Uillson tashmë është i moshuar, por jep ende shfaqje, i mbështetur nga një grup prej nëntë anëtarësh. Në vitin 2012 mbush gjithashtu 70 vjeç edhe Areta Franklin, që ende shpalos herë pas here zërin e saj madhështor, si edhe Lu Rid dhe Xhon Kejl, që pak a shumë e kanë shpikur artin e rokut me Velvet Underground në vitin 1967 dhe që ende provojnë gjëra të reja – në rastin e z. Rid, një bashkëpunim i habitshëm me grupin heavy-metal Metallica.
Hej pleq, bëni qejf!
Tre kompozitorë të mëdhenj që mbushën 70 vjeç në vitin 2011, punojnë ende pa u ndalur: Bob Dilan, Pol Sajmon dhe Nil Dajmond. Një ndër rekordet më mbresëlënës për vitin 2012 do të shënohet nga një artist edhe më i vjetër, Leonard Kohen, 77 vjeç, albumi i parë me këngët e të cilit, që nga viti 2004, pritet të dalë në pranverë.
Përveç z. Kohen, të gjithë këta kolosë kanë lindur në vitin 1941 ose 1942. Kjo nuk është thjesht rastësi. Kur shpërtheu rokenrolli në botë, në mesin e viteve 50, ata ishin 14 ose 15 vjeç, mosha më mbresëlënëse. Në kohën kur arritën majat, në mesin e viteve 60, muzika pop po kalonte periudhën e saj më të purpurt dhe novatore, ndaj talentet mësonin nga njëri-tjetri.
Kjo është një nga arsyet që ata janë kaq jetëgjatë. Të dëgjosh Hey Jude ose Like a Rolling Stone të kënduar nga vetë autorët, ndonëse të ngjirur, është njësoj sikur të nuhasësh epokën e artë. Dhe tashmë këto këngë u përkasin të gjitha grupmoshave. Një brez që dikur shkonte në koncertet rok kryesisht për tu larguar nga prindërit, tani shkon i lumtur, i shoqëruar nga fëmijët e vet.
Por idhujt e tyre nuk kanë qenë gjithnjë të zotët për ta kapur çastin. Kënga e fundit klasike që ka dalë nga penat e tyre ishte Make You Feel My Love, e shkruar nga z. Dilan në vitin 1997 dhe që u bë e njohur kohët e fundit nga Adele, një këngëtare britanike, aq e re sa mund të jetë e dashura e tij.
Mosha e vjetër duhet të jetë truall pjellor për muzikën pop, por vetëm i ndjeri Xhoni Kesh e ka vërtetuar këtë gjatë periudhës së tij të vonshme të lumturisë, nga viti 1994 deri më 2003-shin. Z. Kohen ka folur për plakjen, veçanërisht në vitin 1988 kur këndonte: Tashmë miqtë e mi nuk janë më, dhe flokët më janë thinjur/Më dhembin vendet me të cilat dikur luaja. Albumi i tij i ri i quhet Ide të vjetra, çka është një ogur i mirë. Do të jetë albumi i tij më i shitur në 40 vjet. Ai është i vetmi mes këtyre të moshuarve që ka arritur kulmin në pleqëri: turneu i tij botëror 20082010, i ndërmarrë për të zëvendësuar 5 milionë $ të vjedhur nga një menaxher i pandershëm, ishte një sukses i bujshëm komercial dhe kritik.
Tashmë roku po renditet përkrah xhazit, bluzit dhe muzikës së lehtë, eksponentët e të cilëve luajtën deri në fund (Toni Benet u kthye në klasifikime në shtator, në moshën 85-vjeçare). Në vitin 2012 bëhen 50 vjet që nga albumi i parë i z. Dilan, kënga e parë e Beatles dhe koncerti i parë i Rolling Stones. Por Sër Mik Xheger dhe Kith Riçards (që mbush 69 vjeç në vitin 2012) do ta bëjnë me siguri edhe një turne të fundit, në mos tjetër, vetëm për faktin që janë thellësisht konkurrues dhe fitimet e tyre rekord janë thyer së fundmi nga U2. Z. Riçards është kitarist i madh, një dhunti që nuk shuhet. Ndërsa z. Mik (në fotografi) e kalon ende provën vendimtare të vendosur nga një tjetër këngëtare veterane, Suzi Kuatro, të cilën kohët e fundit e pyetën se edhe për sa kohë do të këndonte. Kur ti kthej shpinën publikut, të tund prapanicat dhe të bëhet heshtje, – tha ajo, – do ti jap fund.
Tim de Lisle: redaktor, Intelligent Life