E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupi i Sheri Mitës prehet në Tiranë

Aktori Sheri Mita dje në mesditë u përcoll për në Sharrë. Ai ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare në shtëpinë e tij në Tiranë, edhe pse për të Tirana mbeti një qytet dëbues, ku nuk e pati një strehë kur i duhej. Ai ishte shkëputur prej vendlindjes, fshati Fterrë i Lukovës, që nga rinia e hershme.

Regjisori i fundit që punoi në kinema me Sheri Mitën ishte Artan Minarolli i cili e kujton si njeri me fantazi, paqësor, elegant dhe… bohem. Më vjen shumë keq për ikjen e Sherit. Unë do ta mbaj mend si një njeri paqësor dhe elegant, dhe si artist me fantazi, tha dje për Shekullin Artan Minarolli i cili e ftoi Sheri Mitën në vitin 2009 për rolin e priftit ortodoks në filmin Kronikë provinciale xhiruar në qytetin e Beratit.

Berati ishte qyteti i tij i vërtetë, jo vetëm pse kishte ngritur atje trupën e teatrit profesionit në kohën e qarkullimit në vitet shtatëdhjetë, po pse e mirëpriti. Ndërsa në Tiranë strehimi i tij me gjithë përpjekjet, iu bë i pamundur. Minarolli tregon një anë sociale të jetës së aktorit të cilin e pat njohur falë miqësisë që Sheri Mita kishte pasur me dajën e tij, aktorin dhe regjisorin Kujtim Spahivogli. Ai e rendit Mitën në një brez liberalësh të artit skenik, si Pëllumb Kulla e Leka Bungo të cilët sollën një frymë të re veçanërisht në zhanrin e komedisë. Mita kishte studiuar në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1967. Aty u emërua pedagog i mjeshtërisë së aktorit për pak kohë derisa nisin emërimet e paqëndrueshme për shkak të problemeve biografike. Regjisor në Kinostudio, aktor në Teatrin Popullor, e përfundimisht i transferuar në Estradën e Beratit, nga ku kthehet në Tiranë në vitin 1989. Vitet e tranzicionit mbahet në punë sa në Cirkun e Tiranës, e sa në Estradë deri sa vjen mosha e pensionit.

Në kinema është personazh dramatik në filmat Ngadhënjim mbi vdekjen, Yjet e netëve të gjata, Ballë për ballë, Gjeneral Gramafoni, Veterani, Në fillim të verës, Dora e ngrohtë etj. Të teatër, në pjesët Shtëpia në bulevard, Arturo Ui, I pazëvendësueshmi etj.. Është autor i disa dramave dhe komedive si Vite të paharruara, Këshilli i ndrikullave, Dy krisma në Paris (bashkautor me P. Kullën) etj..

Në vitin 2004 u nderua me Urdhrin Naim Frashëri i Artë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›