Leximi i botës me zejen e gazetarisë
Lexuesit e të përditshmes Shekulli mund ta kenë vënë re në faqet e saj prezantimin e imazhit të revistës Bota në vitin 2012. Është revista që sapo ka dalë në tregun shqiptar të medias. Ardhja e saj në shqip u bë e mundur nga bashkëpunimi i revistës prestigjioze britanike The Economist me Shekulli Media Group.
Në të janë trajtuar këndvështrime të ndryshme mbi ekonominë, politikën, kulturën, shkencën, informacione të shkurtra etj… Shkrimet nga gazetarët e huaj mund të jenë për Britaninë, ShBA-në, Amerikën, Kinën, për vende të kontinentit afrikan, Lindjes së Mesme, Amerikë së Jugut. Daniel Franklin, psh, redaktor i revistës Bota në vitin 2012 na siguron se botës ska për ti ardhur fundi në 2012-ën dhe fati i ekonomisë do të varet nga zhvillimet e afërta në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësit botërorë do të jenë të shqetësuar. Ndaj mos prisni shumë nga takimet botërore si konferenca Rio+20, shkruan në shënimin hyrës redaktori Franklin.
Fituesja e Nobelit për Paqen, politikania burmeze Aung San Suu Kyi, bën thirrje për balancë si nga individët ashtu dhe nga kombet. Sipas saj një zhvillim pozitiv, që është fuqizuar gjatë vitit të shkuar, ka qenë rritja e vetëdijes shoqërore, pranimi nga njerëzit e thjeshtë i faktit se dhe ata duhet të luajnë pjesën e tyre në procesin e ndryshimit dhe të përshtatjes. Kjo nuk përkthehet aq shumë në protesta kundër mungesave të qeverisë, se sa në pranim të rëndësisë që ka balancimi i të drejtave me përgjegjësitë.
Ndërsa dirigjenti Daniel Barenboim flet për një përqasje të re ndaj konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve, Rolf Heuer shkruan për Shkencën e madhe, Alex Salmond për Skocinë ambicioze, Bob Diamond për Sistemin bankar në Afrikë etj..
Po Shqipëria? Ishte një nga qëllimet e botimit shqip të revistës Bota në vitin 2012, që në faqet e saj të kishte një seksion për Shqipërinë parë nga autoritetet shtetërore, politike, bankare, dhe nga gazetarë.
Gazetari Genc Burimi shkruan për sfidat e ekonomisë shqiptare, gazetari Lorenc Vangjeli për realitetin politik që funksionon pa rregulla loje, gazetari ekonomik i Shekullit Emirjon Senja trajton mundësitë për investime në tregun e telefonisë fikse etj.. Por hapësirë u është lënë edhe udhëheqësve të partive kryesore në vend. Njëri prej tyre, njëherësh kryeministër, Sali Berisha bën një përmbledhje analitike të risive ekonomike dhe politike që do të ndodhin në Shqipëri përgjatë vitit 2012. Sipas tij modeli për zhvillimin ekonomik është bazuar në lirinë ekonomike, taksat e ulëta, qeverinë e vogël, përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhdukjen e pengesave burokratike, prandaj mund të konsiderohet si një model suksesi jo vetëm në botë por dhe në Shqipëri.
Nga ana tjetër lideri i opozitës së majtë Edi Rama shkruan për ndihmat ekonomike të cilat janë të pamjaftueshme. Ai thekson se në përdorimin e kësaj ndihme ekonomike mund të ketë shpërdorime për arsye të mirëfillta politike që lidhen me korrupsionin që ekziston në shpërndarjen e këtyre ndihmave.
Kanë shkruar për seksion e Shqipërisë në këtë revistë dhe Kryetari i Vetëvendosjes në Kosovë Albin Kurti, politologu i shquar Arbër Xhaferi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani etj..
Revista sjellë në shqip nga Shekulli media group përmban të gjitha shkrimet e përkthyera të revistës angleze The World 2012. Është kurorëzimi i punës disamujore dhe negociatave me kompaninë The Economist për të blerë të drejtat ekskluzive në gjuhën shqipe dhe për tu angazhuar në ruajtjen e zhvillimit të standardeve të larta të produktit origjinal. Drejtoresha e Shekulli Media Group Brixhida Kokëdhima shpreh bindjen se informacioni ekonomik, politik, shkencor që vjen përmes këtij botimi vetëm efekt pozitiv mund të ketë në kaosin e botimeve mediatike në vend.
Jam e sigurt se Bota në Vitin 2012 do të pasurojë tregun e varfër shqiptar të mediave ekonomike dhe do të ndihmojë drejtuesit e ekonomisë, politikës dhe biznesit vendimmarrës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për një vizion të plotë dhe largpamës që është aq i nevojshëm në këto vite plotë sfida. Jo vetëm kaq por gjithë informacioni, analizat, komentet, për nga niveli i zejes së gazetarisë që prezanton revista, përbëjnë një model të admirueshëm. Te gjitha botimet e kësaj kompanie kanë nivel shumë të lartë gazetarie ekonomike e politike, kanë një cilësi të padiskutueshme editoriale, thotë drejtoresha Kokëdhima, ato janë produkte shtypi të pasura me informacion të gjithanshëm me fokus të fortë në zhvillimet e rëndësishme që diktojnë të ardhmen e afërt e të largët.
Revista ka dalë në treg në 2 prill 2012 dhe do të qëndrojë në qarkullim deri në daljen e numrit të ri, në 1 mars të vitit të ardhshëm. Revistën e gjen kudo ku shiten gazeta, revista apo libra në Tiranë, në rrethe si dhe në libraritë e Kosovës e Maqedonisë. Për të parë shkurtimisht përmbajtjen e saj në ueb, lexuesi mund të klikojë në: www.shekulli.com.al/bota2012.
Produkte shtypi alternative
Kompania prestigjioze britanike The Economist boton gazetën javore me të njëjtin emër The Economist, ku shkruhet për ekonominë, politikën, biznesin, tregjet dhe tendencat e reja. The Economist shitet jo vetëm në Britani dhe në vendet anglishtfolëse, por pothuajse në të gjithë botën. Kompania boton gjithashtu dhe revistën vjetore Bota në 2012 e cila botohet çdo dhjetor dhe kap shifra shumë të larta shitjeje anembanë globit; revistën 2-mujore The Intelligent Life dhe revistën The World after 50 years e cila pret zhvillimet në botë mbas 50 vjetësh.
Botuar në Bota në 2012
