E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: Serbia e gatshme për kompromis

Gjatë vizitës së tij në Hungari ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, u shpreh se Serbia është e gatshme që në çështjen e Kosovës të gjejë një kompromis, nëse është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, pasi kjo çështje duhet zgjidhur në bazë ligjore dhe rrugë diplomatike. Qeveria e Serbisë ka ndërmend të negociojë situatën aktuale në Kosovë me EULEX,

misioni i BE dhe atë të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, ndërsa mund të bisedojë me Prishtinën vetëm për statusin e Kosovës, u shpreh Jeremiç, për të shtuar se këto negociata mbi statusin, do të fillojnë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, që sipas tij pritet në muajt e ardhshëm. Por ai përsëriti se midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, Serbia do të zgjedhë këtë të fundit. Ministri i jashtëm i Serbisë nga Budapesti e konsideroi të gabuar idenë e lidhjes së integrimit evropian të Serbisë me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në takimin e zhvilluar me homologun hungarez, Peter Balas, Jeremic, ai theksoi se në rast se do të vihej përballë zgjedhjeve BE apo Kosovë, Beogradi pa dyshim që do të zgjidhte Kosovën. Kjo lidhje që i bëhet këtyre dy gjërave është shumë e gabuar, si fillim sepse ata që e bëjnë këtë nisen nga fakti se përballë BE dhe Kosovës, Beogradi do të zgjidhte padyshim BE, por që në fakt nuk është aspak kështu, u shpreh ai. Bashkëbiseduesi i tij, ministri i jashtëm hungarez Peter Balazs, tha se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë Serbinë në përpjekjet për anëtarësim në BE. Ai shtoi se gjatë takimit është folur për Kosovën dhe për pakicën hungareze, që jeton në Vojvodinë. Gjithashtu, po ditën e djeshme, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Vuk Jeremiç deklaroi nga Budapesti se është një gabim i madh të lidhësh integrimin europian të Serbisë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›