Jeremiç kërkon hetim për organet edhe në San Salvador

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç gjatë një vizite në San Salvador, iu ka bërë thirrje vendeve anëtare të Organizatës së shteteve amerikane, që të mbështesin hetimin e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë.
“Ne do të këmbëngulim që përmes hetimeve të zbulojmë të vërtetën e plotë rreth asaj që ka ndodhur dhe për këtë kërkojmë mbështetjen tuaj”, ka thënë Jeremiç në dialogun vjetor të këtyre vendeve dhe shteteve me statusin e vëzhguesit, në mesin e të cilave është edhe Serbia.
Organizata e Shteteve Amerikane ka 35 vende anëtare nga Amerika Jugore dhe Veriore dhe rajonit të Karaibeve.
Jeremiç ka përmendur raportin e Dick Martit në bazë të të cilit u miratua edhe një rezolutë e Këshillit të Evropës, rreth trafikimit të organeve njerëzore dhe ku përfaqësuesit kryesor të shtetit të Kosovës përmenden si udhëheqës të organizatave kriminale.