Jeremiç: FSK kërcënim për sigurinë serbe

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka deklaruar se formimi i armatës së re të Kosovës është kërcënim për sigurinë kombëtare të Serbisë, dhe se vendi i tij do të bëjë të gjitha përpjekjet diplomatike që ta luftojë atë. "Nuk ka ndonjë mënyrë që Serbia ta shohë të ashtuquajturën Forcë të Sigurisë së Kosovës, përveç si kërcënim direkt ndaj sigurisë kombëtare të saj, si dhe ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor", është shprehur Jeremiç në një konferencë për shtyp në Lubjanë të Sllovenisë. "Ne do të vazhdojmë të protestojmë fuqimisht, duke i përdorur të gjitha përpjekjet dhe mënyrat diplomatike që të shpërndahet ky grup paramilitary", ka shtuar Jeremiç. Ndërkohë në Beograd, ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç ka thënë se Beogradi nuk mendon për formimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, sepse kjo vetëm sa do të rriste tensionet. "Qëllimi ynë është çmilitarizimi i Kosovës dhe do të luftojmë me të gjitha mjetet diplomatike që forcat e Kosovës të mos funksionojnë", tha Bogdanoviç. Forca e Sigurisë së Kosovës është ngritur zyrtarisht ditën e mërkurë pas mesnate.