E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e re e vajzave të Obamës

Shtëpia e Bardhë është shtëpia e ëndrrave për çdo fëmijë: një kopsht vetëm për të luajtur, një pistë personale për buling, një kinema private, një kat i tërë plot me pemë krishtlindjesh, dhurata pa fund nga e gjithë bota dhe një ekip i madh kuzhinierësh gati për të përgatitur ëmbëlsirat dhe akulloret e preferuara të tyre në çdo orë të ditës e natës. Por, mbi të gjitha, edhe truproja në çdo hap që hedhin, kontroll të ashpër mbi atë që thonë dhe bëjnë kur dalin nga Shtëpia e Bardhë. Me pak fjalë, do të gjendesh në telashe nëse vendos gishtat në hundë, apo të lexosh ndonjë libër gjatë ndonjë darke të mërzitshme të organizuar nga prindërit, sepse fotografët janë gjithmonë të gatshëm për të vepruar. Për katër ose më shumë vjet ato do të jenë të ekspozuara ndaj komenteve dhe këto jo gjithmonë dashamirëse, ndaj prindërve apo ndaj tyre, edhe pse Sasha e Malia janë vetëm 7 dhe 10 vjeçe. Kanë kaluar shumë kohë që nga vitet ‘70, kur Emi Karter, në moshën 9-vjeçare mbërriti në "1600 Pennsylvania Avenue" me të atin Xhimin dhe të ëmën Rozalinë, që Shtëpia e Bardhë nuk ka pasur fëmijë të kësaj moshe, edhe pse imazhi që familja Obama kujton herë pas here është ai i Kenedit. Në krahasimet e bëra mes Obamës dhe JFK, duhen marrë parasysh edhe fëmijët (përveç llogaritjes paksa konfidenciale, sipas së cilës vetë Baraku është ngjizur ditën në të cilën Kenedi fitoi zgjedhjet). Miqtë më të ngushtë të familjes tregojnë se Barak dhe Mishel duan që vogëlushet të mbajnë sa më shumë që të jetë e mundur të njëjtat zakone si ato që kishin në shtëpinë e tyre prej gjashtë dhomash, në një nga zonat më të mira të Çikagos. Fakti që në janar do të zhvendosen në Shtëpinë e Bardhë në Uashington e përbërë prej 135 dhomash, për familjen Obama nuk do të thotë asgjë. Sasha dhe Malia duhet të bëjnë të njëjtën jetë. Mes detyrave që nuk do të ndryshojnë, futen: rregullimi i shtratit çdo ditë, zgjimi herët në mëngjes dhe fjetja në orën tetë të darkës. Ndërkaq, Malia dhe Sasha duhet të zgjedhin se cila mes 17 dhomave të gjumit të pjesës lindore të shtëpisë do të jetë dhoma e tyre, apo ajo ku do të zhvillojnë festat, një nga mënyrat më të preferuara për të kaluar kohën e lirë. "Ka shumë dhoma, ku mund të ftosh miqtë, për më tepër një pishinë dhe një fushë tenisi në dispozicion të tyre", thotë Beti Monkman, kujdestare në Shtëpinë e Bardhë prej 30 vjetësh dhe autore e librit "Të jetosh në Shtëpinë e Bardhë". "Është edhe një staf i mrekullueshëm që mund të kujdeset për to dhe t‘i bëjë të ndihen si në shtëpi. Pastaj vajzave nuk do t‘u mungojë asgjë dhe do të kenë në dispozicion edhe një dhomë gjigante për ‘luftën‘ me jastëk me miqtë", tregon ajo. Por, periudhat më të bukura në Shtëpinë e Bardhë për fëmijët, tregojnë të afërmit e familjeve presidenciale, janë padyshim Krishtlindjet. Në "State Floor" (në katin e parë të ndërtesës ku zhvillohen pritjet zyrtare), vendoset një pyll i tërë me bredha të zbukuruar në mënyrë të mrekullueshme, ndërsa artizanët më të mirë bëjnë garë për të paketuar kuti me dhurata dhe ëmbëlsira. "Në këtë kohë nisin të vijnë dhurata nga e gjithë bota", tregon Dag Uid, historian, studiues dhe autor i librit "Gjithë fëmijët e Presidentëve". "Prindërit duhet të adaptojnë një disiplinë të hekurt për t‘i mbajtur gjërat nën kontroll, kur në familje ka fëmijë të vegjël", tregon ai. Për "first daughters" (vajzat e Presidentit) do të vihen në radhë një numër i madh VIP-ash që do të duan t‘i njohin, njerëz që pjesa më e madhe e fëmijëve të moshës së tyre mund t‘i ëndërrojnë me posterat e vendosur në dhomë, apo që t‘u marrin ndonjë autograf në morinë e shumtë të fansave. "Një ditë Mandela, ditën tjetër Tajgër Uds, pastaj Hana Montana", tregon Uid. Si adhuruese të mëdha të Hanna Montana, seri televizive mbi një vajzë që bën një jetë të fshehtë si yll popi, Sasha dhe Malia tani mund ta bëjnë realitet ëndrrën e tyre për të njohur nga afër Milej Kjrus, protagonisten 16-vjeçare. Por jeta e "vajzave të para" sigurisht që nuk do të jetë e thjeshtë, pavarësisht se nuk do t‘u mungojë absolutisht asgjë. Ndërkaq, problemi i parë është ai i shkollës, që familja Obama do të zgjedhë për to. Nuk dihet ende nëse Barak dhe Mishel do t‘i lënë të ndjekin një shkollë publike, ashtu siç bëri Karter me Emin, apo kolegje private shumë të shtrenjta, për shkak të nevojës së sigurisë dhe edukimit në nivele të larta. Megjithatë, sipas asaj që duket, ka shumë gjasa që Barak dhe Mishel do të ndjekin shembullin e Klintonëve, që zgjodhën një shkollë private për Çelsin. Ashtu si Çelsi dhe vajzat e tjera të presidentëve që i kanë kaluar vitet e adoleshencës në Shtëpinë e Bardhë, vogëlushet Obama do ta ndiejnë shumë mungesën e lirisë për të lëvizur dhe privatësisë. Truprojat nuk do t‘i lënë vetëm për asnjë moment, duke qenë se i ati i tyre, sipas analizave, ka një mundësi më të madhe për të qenë pre e atentateve se sa paraardhësit e tij në këtë post. Suzan Ford, ishte 17 vjeçe kur i ati i saj, Xherald, u bë President. Xhinset e saj dhe tentativat për të marrë me vete truprojat kur shkonte për t‘u argëtuar tërhoqën vëmendjen e shtypit me shumë komente dashakeqe. Binjaket Bush nuk ngelen pas. Obamat do të mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë me famën e vajzave të mira, për shkak të moshës, por kjo nuk do të jetë arsye që t‘i bëjë ato të mbrojtura nga komentet dhe shkrimet tendencioze. Me siguri Barak dhe Mishel do të vendosin ndonjë mur mbrojtës përreth vajzave të tyre, ashtu siç u munduan të bënin Klintonët, edhe pse nuk arritën të shmangnin komentet e shtypit për pamjen fizike të Çelsit. Megjithatë, hapësira për t‘u argëtuar do të jetë e garantuar në një farë mënyre: fjalë e atyre që kanë studiuar historinë e familjeve presidenciale ndër vite. Duke e ditur se sa stresuese është të jesh fëmijë në Shtëpinë e Bardhë, shumë presidentë janë përpjekur t‘i mbajnë gjithmonë nën kontroll. Ashtu siç tha Tedi Ruzvelt për çapkënen e tij, Alis: "Njërën nga të dyja: ose qeverinë, ose të kontrolloj atë. Nuk mund t‘i bëj dot njëkohësisht".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›