E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshojnë afatet për vendosjen e kasave fiskale

Çështja e vendosjes së kasave fiskale te biznesi duket se do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Historia nis që në 1994, duke vijuar me dështimin e disa projekteve. I fundit, hartuar nga qeveria e djathtë, u duk sikur do t‘i jepte fund amullisë me deklaratat on line të xhiros që kryejnë bizneset e të gjitha llojeve. Vendimi i marrë në fund të 2006-ës, përcaktonte qartë se procesi i vendosjes së kasave në të gjithë Shqipërinë do të përfundonte në pjesën më të madhe në 2008-ën, ndërsa në 2009-ën, mbyllej plotësisht. Tani, me vendimin e marrë dje, procesi i vendosjes së kasave shtyhet, për t‘u mbyllur në fund të 2010-ës. Sipas vendimit, sistemi i komunikimit, ndërmjet tatimpaguesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Sistemi i komunikimit, ndërmjet shoqërive të regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duhet të realizohet nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Shoqëritë e regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj, të cilat përdorin pajisje, sipas kërkesave të këtij vendimi, duhet të sigurojnë transmetimin e të dhënave të xhiros së pajisjes fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në formë elektronike, në mënyrë të detyrueshme, nëpërmjet sistemit GPRS, ose me ndonjë formë tjetër transmetimi, duke e marrë këtë shërbim nga shoqëritë në treg, që ofrojnë një shërbim të tillë, brenda datës 30 prill 2009. Transmetimi i të dhënave mujore të xhiros në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëhet brenda datës 10, të muajit pasardhës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hyn në marrëveshje kontraktuale bashkëpunimi me operatorët e telefonisë celulare, për sigurimin e shërbimit sipas kësaj skeme.

Në lidhje me bizneset e vogla dhe të mesme, që do të mbajnë të dhënat e xhiros, nëpërmjet regjistruesit elektronik, janë të detyruar të mbajnë regjistrimet, në përputhje me kërkesat e vendimit të ri, duke iu referuar ndryshimeve në kalendar. Kështu, brenda periudhës nëntor 2008-maj 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe Drejtoria Rajonale e Tiranës.

Brenda periudhës janar-dhjetor 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimpagues të tatimit mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore. Brenda periudhës qershor 2010, personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në bashkitë e Tiranës, të Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë, edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil. Si përfundim, brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë, të biznesit të vogël duhet ta kenë të vendosur pajisjen fiskale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›