E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta në Francë e vajzës që e futi në kurth, Pango në gjyq kërkon 1 milion euro

 

Redona Sadiku

Në mars të këtij viti, ishte ngjarja që u bë lajmi i parë. Nuk kishte ndodhur herë tjetër, që një politikan shqiptar të vihej në qendër të vëmendjes për skandale seksuale, aq sa menduam që të paktën këtë dimension të jetës amerikane, ne tashmë e kishim prekur (po të kujtojmë skandalin e ish presidentit Klinton). Javën e kaluar rierdhi në vëmendjen e lexuesve kjo histori falë një shkrimi që “Panorama Plus” publikoi. Morëm spunto nga videoja bruto, që dikush kishte publikuar në you tube, ku etapat që kishin kaluar gazetarët e Fiksit dhe sidomos protagonistja që futi në kurth Pangon, Alkida Budini nuk ishin më sekret për askënd. Videoja që kishte vetëm pak ditë që shfaqej, kishte vetëm 1000 shikime, ndërkohë që vetëm këtë javë i ka kaluar 11000 shikime, gjë që tregon që njerëzit kanë kuriozitet për të mësuar akoma çdo detaj dhe prapaskenë të ngjarjes. Ndërkohë që gazetarja u largua nga Shqipëria, vetëm pak ditë pasi plasi skandali, Prokuroria e Tiranës, që ka ngjarjen nën hetim, kërkon Alkidën si dëshmitare të ngjarjes por deklaron se nuk gjen dot mënyrën për të kontaktuar. Fakti që vajza tashmë jeton në Francë, u publikua vetëm pak ditë më parë, ndërkohë që ne arritëm të zbulojmë një faqe të saj në facebook, ku ajo përdor pseudonimin Karla Shqiptare.
Aty mundëm të gjejmë një pjesë të fotove, të cilat po i publikojmë ndërkohë që gjetëm burime të tjera për disa foto, që ajo nuk i ka vendosur në profil, si psh fotoja me redaktoren përgjegjëse të Fiksit, Denisa Haxhiaj, në Paris, vizitë që kjo e fundit i bëri ish-koleges në maj të këtij viti. Duke investiguar më shumë rreth jetës së Alkidës atje, kemi mundur të zbulojmë se vajza ka kërkuar azil me motiv, si e rrezikuar për shkak të videos. Madje pak ditë më parë, ajo është paraqitur për të dhënë intervistën dhe si provë ka pastur videon e realizuar, si pjesë e detyrës së saj, por që më pas ia ka bërë jetën të pasigurtë në Shqipëri. Kështu duket se Alkida është në prag të realizmit të ëndrrës së saj, për t’u bërë nënshtetase franceze. Mbase ky mund të ketë qenë edhe qëllimi i saj, kur mori përsipër të bërë detyrën e rrezikshme të caktuar nga Fiksi. Nga fotot duket qartë se Alkida po ia kalon si mos më mirë. Në Francë jeton gjithashtu edhe  e motra, ndërsa fotot tregojnë se ajo po e shijon në maksimum jetën atje, ditën edhe natën, ndërkohë që me siguri do t’i duhet të bëjë një xhiro në Atdheun amë,  mbase edhe si qytetare franceze kësaj here, për të dhënë në prokurori të gjitha shpjegimet e duhura, rreth ngjarjes që tronditi opinionin publik dhe kryqëzoi një ish ministër dhe një ish deputet.

Pango padi në Gjykatë. Kërkon 1 milion euro dëmshpërblim

Ish-ministri Ylli Pango tenton ligjërisht të vërë në vend “nderin e humbur”, që iu shkaktua nga përfshirja e tij në të ashtuquajturin “skandali seksual Pango”. Ish-kreu i dikasterit të kulturës, ka depozituar dje në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës një padi kundër televizionit Top-Channel, ku kërkon 1 milion euro dëmshpërblim. Në padinë e regjistruar dje në gjykatë, ish-ministri Pango, veç të tjerash, kërkon nga televizioni shpërblim në para për dëmin e shkaktuar, në vlerën 1 milion euro. Shorti elektronik i Gjykatës së kryeqytetit ka zgjedhur gjyqtarin Agim Bendo si shqyrtuesin e kësaj çështjeje. Në ditët në vazhdim pritet të caktohet seanca e parë e përballjes mes ish-ministrit dhe televizionit. Në padinë e ish-ministrit, në rolin e paditësit është Ylli Pango, ndërsa  si palë të paditur televizionin TOP Channel. Referuar objektit të padisë, ish-ministri Pango kërkon nga gjykata deklarimin e palës së paditur përgjegjëse, për shkaktim dëmi ndaj personit si rezultat i publikimit të të dhënave të pasakta, jo të vërteta, dhe të përfituara në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu po aty Pango kërkon që gjykata të detyrojë palën e paditur të mos publikojë në të ardhmen artikuj, intervista apo komente në lidhje me të, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte të mund të dëmtojnë personin e tij. Ndërsa në vijim, ish-ministri kërkon “Detyrimin e palës së paditur të paguajë shpërblimin për dëmin e shkaktuar në vlerën 1 milion euro. “Skandali seksual Pango” zuri fill pas transmetimit të disa pamjeve filmike në programin “Fiks Fare” të televizionit Top-Channel. Referuar pamjeve, nga drejtuesit e programit pretendohej se ish-ministri po i ofronte një vajze një vend pune në ministri, në këmbim të favoreve seksuale. Ndërsa u shkarkua menjëherë pas transmetimit të këtij emisioni, vetë ish-ministri pohoi në mënyrë të vazhdueshme se ngjarja nuk ishte ashtu siç u servir në televizion dhe se hodhi akuza për manipulim të fakteve filmike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›