Jeta në taka të LARTA
Cila femër nuk do donte të ecte në taka të larta, lirshëm, me stilin e një modeleje në pasarelë?
E vërteta është se çizmet, këpucët dhe sandalet vijnë në një formë tjetër, më klasike dhe super elegante, në rastet kur taka është të paktën 10 centimetra e lartë. Por ajo që dihet tashmë nga të gjithë, e që ne femrave na kushton dhembje, qëndron te vështirësia për të ecur mbi to për orë të tëra! Mendimi i parë që na vjen në mendje kur kemi veshur këpucë me takë të lartë, është të kërkojmë një stol për t’u ulur sa më parë e të fajësojmë veten që nuk veshëm këpucë të sheshta. Por merrni frymë thellë dhe qetësohuni, pasi në shkrimin e sotëm do t’iu servirim disa këshilla shumë të vlefshme, që do t’ju ndihmojnë të gjithave, ju gra e vajza të qëndroni mbi takat tuaja të preferuara, nëse i vini në praktikë. USHTRIMET
Nëse nuk keni veshur thuajse asnjëherë këpucë me taka të larta, këshilla e parë është që të filloni të praktikoheni me taka 5 centimetra, duke e rritur më pas gradualisht lartësinë. Herët e para praktikohuni vetëm në ecje të qeta, si për shembull për të shkuar në një restorant apo pub. Hapi i radhës mund të jetë një mbrëmje e gjatë, që parashikon shëtitje apo një vajtje në diskotekë. Por takat janë të shumëllojshme dhe ndonjëherë më e bukura dhe e dëshiruara është edhe më e vështira për të qëndruar mbi to. Bëhet fjalë për takat e holla ose të njohura ndryshe taka «Spilo».
Një mënyrë për t’u mësuar me këtë lloj take kaq të admiruar dhe elegante është praktikimi i disa ushtrimeve, që duhen filluar me këpucë të mbyllura që mbajnë mirë dhe fort e të palëvizshme këmbën dhe kaviljen, si për shembull çizmet. Kur kuptoni që jeni ambientuar me këtë formë take, por në versionin e çizmeve, atëherë është momenti për të provuar e praktikuar me sandale më të hapura, që janë edhe të bukura, elegante e të përshtatshme për këtë stinë.
Por duhet të keni kujdes !!! Duke qenë se kjo lloj forme e mban shumë pak kaviljen, mund të provokojë edhe më shumë dhimbje. Për të stërvitur mirë muskujt e këmbëve dhe për të përmirësuar e rritur ekuilibrin tuaj, duke qëndruar në këmbë, filloni të ngriheni me majat e këmbëve dhe më pas rikthehuni në pozicionin fillestar: E bukura është se mund të stërviteni edhe kur jeni duke pritur autobusin.
Sapo ke marrë një palë këpucë të reja me takë të lartë? Provojini në fillim në shtëpi, në mënyrë që të kuptoni pikat e veçanta ku mund t’iu japin shqetësime. Për të ndihmuar kontaktin me shputën e këmbës, përdorni një shtroje të veçantë të padukshme, të përshtatshme për periudhën e verës: Do ju duket sikur fluturoni!
KESHILLA PER ECJEN
Kur ecni me taka te larta, shikoni mirë përpara duke u munduar të mbani qafën të tensionuar, mjekrën lart dhe të gjithë trupin drejt. Në të njëjtën kohë mundohuni të mbani muskujt e relaksuar dhe mos i jepni atyre një formë të ngurtë: është thjesht stërvitje. Krahët mundohuni t’i mbani në mënyrë sa më natyrale dhe shoqëroheni ecjen me lëkundjen e ëmbël të legenit.
Peshën e trupit mundohuni ta mbani në të gjithë këmbën dhe jo vetëm në pjesën e përparme. Gjatë ecjes, mbështesni në fillim majën e këmbës dhe më pas thembrën, dhe asnjëherë të kundërtën, për të evituar lëndimin e muskujve të pulpës. Dhimbja e shpinës, që mund të shfaqet kur mbahen takat e larta, vjen nga fakti se trupi duhet të përshtatet me një ekuilibër të ri. Nëse kjo dhimbje zhduket pas disa orësh, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Gjithsesi, mos harroni asnjëherë se takat e larta mund të shkaktojnë probleme edhe në shtyllën kurrizore. Gjëja më e mirë, krahas dëshirës sonë për t’u dukur elegante, është se kjo lloj këpuce duhet të vishet vetëm me raste të veçanta dhe për disa orë, duke mos u bërë një zakon i përhershëm. Por duket se çdo vit e më shumë, beteja e ortopedëve është e vështirë, sepse ata që e bëjnë ligjin në këtë fushë nuk janë mjekët, por moda dhe stilistët. Nëse do të ishte e kundërta, takat e larta do të ishin eliminuar me kohë.