Milani, një pikë larg titullit
Një pikë dhe Djalli shkon në Parajasë. Një pikë të shtunën në “Olimpico” kundër Romës dhe titulli numër 18 do të stampohet në fanellat e Milanit. Për të mbaruar punë me Bolonjën, banda e Alegrit shpenzon kohën e nevojshme për një pauzë kafeje: 8 minuta. Flamini, jo një nga ata që shënojnë shpesh, mposht Vivianon në dy kohë. Ky Milan ishte trumbetuar në verë si cirku i spektaklit ekstrem: Ibra, Dinjo, Binjo, Pato, Sedorf dhe sa më shumë të kesh, aq më shumë do fusës. Humbi në ndeshjen e dytë me Çezenën dhe Alegri nisi të punonte për projektin e një skuadre të vërtetë, të ekuilibruar. Që lindi në Bari, në javën e 10-të: Gatuzo, Ambrozini e Flamini. Milani i mesfushorëve. Tifozët hapën parrullën “Faleminderit Alegri”. Më vendimtar se Ibra.
Por goli futi në narkozë ndeshjen, e cila u zhvillua përtueshëm nën diellin e fortë. Malesani ka vendosur një mbrojtje me 4, një digë me 5 mesfushorë dhe në sulm i zakonshmi Di Vaio. Por Bolonja nuk bën asgjë, ndërsa kuqezinjtë i shkojnë shumë pranë dyfishimit me Kasanon (17’) dhe Flamini (45’), që dalin të vetëm përpara Vivianos, por nuk shënojnë. Sidoqoftë, një fitore që e bën javën e Milanit më të qetë në prag të ndeshjes kundër Romës.
Përsa i përket luftës për zonën Champions, asgjë nuk ka ndryshuar, pasi Udineze është mundur nga Fiorentina 5-2 duke qëndruar e pesta, ndërsa Lacio do të ndeshet sot në mbrëmje me Juventusin. Shumë e ndezur është beteja përsa i përket 3 ekipe që do të bien nga kategoria. Bari e ka prerë biletën për në Serie B, ndërsa të gjitha të tjerat janë mposhtur, përjashto këtu barazimin mes Sampdorias dhe Breshias. Momentalisht, tre skuadrat që rrëzohen veç Barit, janë Breshia dhe Leçe, ndërsa në valle për të rënë janë edhe Sampdoria e Çezena, me skuadrën e Bogdanit që ka 2 pikë më shumë se Leçe.