Jeta nën hijen e vdekjes
Avdullah Selimi-Raçi nuk merr dot frymë me gojë ose hundë, por nga një vrimë në fytin e tij të prerë nga mjekët, të cilët dhjetë vjet më parë ia shpëtuan jetën duke ia larguar kancerin në fyt. Me sy të mbushur me lot dhe duke iu dridhur zëri, ai numëron të vdekurit dhe të sëmurët nga fisi i tij, të gjithë të prekur nga sëmundja e kancerit.
Mjekë dhe ekspertë të mjedisit besojnë se termocentralet e KEK-ut, duke e përfshirë pluhurin dhe gazrat toksike - oksidin e azotit dhe oksidin e sulfurit - si dhe hirin vdekjeprurës të hedhur në afërsi të fshatit, janë fajtorët për këtë gjendje.
“Nga 115 anëtarë të farefisit tim, që nga viti 1969 kur Termocentrali Kosova A ka filluar me prodhim, 27 prej tyre kanë vdekur nga kanceri, kurse 20 të tjerë po vuajnë nga kjo sëmundje”, thotë Avdullahu.
Mjeku Musli Mehaj, specialist në Institutin e Mjekësisë së Punës, i cili deri para disa vitesh punoi për KEK’un, beson se banorët e Dardhishtës jetojnë në zonën më të rrezikshme përreth termocentralit Kosova A.
“Nëse një i ri i shëndoshë fillon të punojë në KEK, për pesë vjet ai do të fillojë të vuajë nga problemet me frymëmarrjen dhe sëmundje të tjera”, tha ai, duke përshkruar ajrin në këtë zonë si “jashtëzakonisht të ndotur”.
Pohimet e mjekëve janë po ashtu të mbështetura nga statistikat, edhe pse atyre u është dhënë shumë pak rëndësi. Numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2011, e ka tejkaluar numrin e përgjithshëm të banorëve të komunës.
Banorët e fshatit Dardhishtë kanë dorëzuar ankesa pothuajse në të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, Kryeprokurorit dhe Ombudspersonit, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kopjet e këtyre ankesave mbajnë datë që në vitin 1999, por fshatarët i kanë shpeshtuar thirrjet e tyre që nga viti 2008 e këtej.
Burim Gërguri, kryetar i Këshillit të Fshatit Dardhishtë, i tregoi Gazetës Jeta në Kosovë.
“E dini çfarë, ne jemi një varrezë e gjallë”, thotë Gërguri i cili ka mbaruar shkencat politike në Universitetin e Prishtinës. Ne nuk guxojmë as të bëjmë analizat se kemi frikë ta kuptojmë sa të sëmurë jemi”, përshkruan Gërguri.“Toka, uji e ajri këtu janë të kontaminuar”, thotë ai.
Se ajri, uji dhe toka janë të ndotura në këtë zonë, e cila ndodhet vetëm disa kilometra nga Prishtina, konstatohet edhe në dokumente të ndryshme zyrtare. Njëra prej tyre është një monografi për ambientin, e para e këtij lloji në Kosovë, e hartuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve, e cila do të jetë pjesë e Enciklopedisë kombëtare, edhe kjo e para në historinë e vendit. Zonat përreth dy termocentraleve të Kosovës - Kosova A dhe Kosova B - qyteti i Mitrovicës si dhe fabrika e “Ferronikelit” që ndodhet në Drenas, sipas kësaj monografie, kanë nivelin më të lartë të ndotjes në vend.
Deri më tash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 32 ligje që ndërlidhen me ambientin, të cilat janë përcjellë me 28 akte nënligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ajrit, zhurmës, kemikaleve dhe mbeturinave. Por, duket se për këto ligje vetëm është shpenzuar ngjyrë e letër.
“Ne i kemi ligjet më të mira në rajon në letër, por në praktikë është krejt ndryshe”, thotë Zeqir Veseli, një nga ekspertët më të njohur në vend në fushën e ambientit. “Nuk ka fare nevojë të jesh ekspert kur të shkosh aty [në Dardhishtë], që ta dish se ambienti është i ndotur, e që është parakusht edhe për sëmundje”, thotë Veseli.
“KEK-u do të duhej të ishte më i përgjegjshëm dhe disi t’ua lehtësonte banorëve sadopak jetën,” tha profesor Veseli. Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK’ut, tregon se korporata ka filluar me procesin e rikultivimit të deponisë së hirit. Kjo nënkupton që një pjesë do të largohet e një pjesë tjetër do të mbulohet me dhe.
Ne gjithashtu kemi filluar edhe me largimin e 18 mijë tonëve të fenolit, tha Buzhala, të cilat do të oksidohen në Holandë e Gjermani.
“Projekti i rikultivimit të hirit dhe oksidimi kushton rreth 15 milionë euro dhe ka filluar në vitin 2009”, tha ai, duke shtuar se kjo punë do të përfundojë këtë vit me paratë e dhëna nga Banka Botërore, Qeveria e Kosovës dhe vetë KEK’u. Buzhala e pranon se vetëm në fshatin Dardhishtë janë të deponuara 40 milionë tonë hi, por ai përmendi se 7.5 milionë euro do të jepen për bartjen e atij hiri nëpër tuba.
Paralelisht me zgjatjen e jetës së këtij termocentrali, propozimet për termocentralin e ri Kosova e Re kanë ngecur.
Burime të Gazetës kanë treguar se mbyllja e Termocentralit Kosova A deri në vitin 2017 nuk mund të arrihet, ashtu siç ka qenë e planifikuar. “Kosova A nuk do të mbyllet në vitin 2017”, tha një burim i informuar mirë rreth procesit.
“Termocentrali Kosova A do të vazhdojë të funksionojë si të mundet, me investime e riparime, deri në vitin 2025”, tha burimi. Edhe pse aty do të vazhdohet të derdhen miliona, ekspertët e mjedisit si Zeqir Veseli besojnë se rezultatet do të jenë minimale. “Plaka nuk mund të bëhet nuse e re”, tha ai.
Avdullah Selimi-Raçiu ka tjetër shqetësim.
“Unë së shpejti do të vdes, por nuk e kam dert. Më dhemb kur e di se çfarë i pret fëmijët, nipat e mbesat”.