E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çdo bisedë me Serbinë është politike

Nga Express më 27 shtator 2011 në ora 13:45

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti e ka thënë qartë të martën se çdo bisedë me Serbinë është politike. Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, në të cilën është caktuar rendi i ditës për seancën e 6 tetorit.

Haliti ka thënë me këtë rast se edhe kur bisedohet për çështje teknike me Serbinë ka përbrenda tyre politikë.

“Ne kemi një rrugë e cila është duke u ndjekur, dialogu që po zhvillohet në Bruksel. Bisedat janë të natyrave po themi teknike, por në bisedime teknike kur kemi të bëjmë me Serbinë gjithçka pothuajse është politikë. Asnjë bisedë teknike nuk mund të mos ketë politikë brenda. Sidoqoftë Kuvendi i Kosovës ka miratuar kontrollin në gjithë territorin e Kosovës, Qeveria ka marrë një aksion dhe ne jemi në mbështetje të plotë të veprimeve të Qeverisë në veri”, ka thënë
Haliti.

Ai ka shprehur mbështetjen edhe për forcat e KFOR-it për angazhimet e tyre në përpjekje për të vënë kontrollin në veri.

Ndërkaq Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kosova ka një Qeveri, e cila vazhdon të bëjë koncesione me Serbinë. Ai tha se me marrëveshjet e pranuara është mohuar shtetësia e Republikës së Kosovës.

“Bisedimet me Serbinë siç po duket për Qeverinë e Kosovës nuk do të kenë të ndalur dhe kjo për arsye se kemi të bëjmë me një Qeveri të koncesioneve të vazhdueshme me Serbinë, dhe ne kemi vërejtjet tona për marrëveshjet e arritura të cilat erdhën vonë në formë të konkluzioneve të arritura me dakordime me Serbinë. Siç shihet Qeveria e Kosovës atje, në këto marrëveshje, ka pranuar gjithçka që e mohon Republikën e Kosovës, shtetësinë e Kosovës, sepse janë pranuar të gjitha dokumentet që të përdoren e që janë të pranueshme për Serbinë e që nuk figuron askund Republika e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Kurse Ahmet Isufi nga AAK-ja konsideron se këto bisedime që nga fillimi kanë qenë të papërgatitura mirë.

“Konsiderojmë se këto bisedime nuk janë me vlerë, sepse nuk bëhen me agjendën e Kosovës, por bëhen me agjendën e të tjerëve dhe me këtë rast po fiton Serbia, duke qenë vazhdimisht temë në agjendën ndërkombëtare”, ka thënë Isufi.

Ndryshe në Bruksel sot pritet të fillojë raundi i ri i bisedimeve, ndërkohë që pala serbe insiston që të bisedohet edhe për dy pikat doganore 1 dhe 31.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka caktuar seancën për datën 6 tetor, në të cilën do të shqyrtohen disa raporte të komisioneve dhe disa projektligje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›