E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia zbutet pak

Kamionët me mallra nga Kosova kanë vazhduar edhe të hënën të hyjnë në Serbi. Këtë fat e patë edhe kompania Fluidi nga Gjilani. Udhëheqësit e saj thonë se nuk kanë pasur asnjë problem në procedurat e zhdoganimit dhe tash po përgatiten për të nisur eksporte të reja. Nga Albulena Maloku më 27 shtator 2011 në ora 11:30

Prodhuesit kosovarë po ia mësyjnë tregut të Serbisë. Ndonëse të paktë në numër, ata që tashmë vetëm kanë kaluar me produktet e tyre në këtë treg, po përgatiten të nisen me eksporte të reja drejt këtij shteti.

Kalimi i shtatë kamionëve të parë me dokumentacione të Kosovës, pa asnjë problem, ka bërë që eksportuesit kosovarë tash të përgatiten për të vazhduar edhe më tej tregtimin në Serbi.

Çimento, letra për ripërpunim dhe lëngjet janë mallrat që kanë arritur të depërtojnë për këto katër ditë në tregun e Serbisë.

Fabrika për prodhimin e lëngjeve, Fluidi nga Gjilani, është njëra ndër kompanitë që gjatë këtyre ditëve arriti të kalojë në territorin e Serbisë me dokumente të Kosovës.
Fejzullah Mustafa, nga kompania Fluidi, tregon për Express se prodhimet e tyre tashmë kanë dalë në tregun e Serbisë pa asnjë problem. Përveç kësaj, ai thotë se nuk kanë pasur asnjë problem gjatë eksportimit.

“Një eksport e kemi bërë gjatë këtyre ditëve të fundit dhe kjo ka kaluar pa asnjë telashe, dhe eksporti është bërë me dokumente të Kosovës, pra me vulë të Doganave të Kosovës”, thotë ai për Express.

Sipas tij, zhdoganimi është bërë në rregull, është paguar TVSH’ja dhe kështu thotë se tash po mendojnë të vazhdojnë edhe me eksporte të reja në këtë shtet. “Tash po mendojmë prapë të shkojmë me eksporte të reja, sepse deri tash e kemi pasur vetëm një eksport të produkteve tona”, tregon Mustafa.

E kompania e tij ditë me herët kishte tentuar të dilte në këtë territor, por tregon se nuk janë lejuar, pasi u janë kërkuar dokumente tjera, pra të strukturave paralele në Kosovës.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, ka thënë se maunat me mallra janë duke kaluar nëpër vendkalimet kufitare për të hyrë në Serbi, por numri i tyre ende nuk është konfirmuar saktësisht. Sipas tij, nuk pritet të ketë një rritje të madhe të eksportit kosovarë.

“Sipas informatave që kemi marrë nga degët doganore, ka edhe maune tjera, të cilat janë duke i përfunduar procedurat e eksportit dhe duke dalë në Serbi. Nuk mund të presim se do të kemi ndonjë rritje të madhe, ekstreme, të eksportit. Por, kryesorja është që të lejohet eksporti dhe t’ju ofrohet mundësia eksportuesve që t’i shesin mallrat edhe në atë territor”, tha Stavileci.

Ai tha se numri i vogël i maunave që eksportojnë mallrat kosovare në Serbi nuk ka të bëjë me ndonjë ndalesë të caktuar, por me faktin se Kosova eksporton sasi të vogël mallrash në këtë vend fqinj.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar për Express se tashmë marrëveshja për vulat doganore është duke u zbatuar edhe nga pala serbe. Ajo ka konfirmuar se tashmë kamionët me mallra kosovare kanë kaluar pa asnjë problem në territorin e Serbisë.

“Vetëm pas gjashtë ditëve kur ne kemi filluar ta zbatojmë marrëveshjen, Serbia ka filluar ta zbatojë këtë marrëveshje, respektivisht para tri dite është kamioni i parë që ka kaluar me dokumentacion në Serbi. Shpresojmë se do të vazhdojë pa probleme zbatimi i marrëveshjes”, thotë Kusari-Lila.

Tash, sipas ministres, pritet të shihet se a do të zbatohet edhe në vazhdim kjo marrëveshje nga pala serbe. Edhe pse, sipas saj, fluksi i kamionëve me dërgesa kosovare drejt Serbisë është në numër të vogël, përkundër asaj se kamionët me mallra serbe janë në numër më të madh. Prej 16 shtatorit, kur Kosova shfuqizoi masën e reciprocitetit të vënë ndaj Serbisë, më shumë se 700 kamionë me mallra serbë kanë hyrë në tregun kosovarë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›