Jeta pa qeveri
Për një vit, që pas zgjedhjeve të përgjithshme më 13 qershor 2010, Belgjika nuk ka pasur një qeveri zyrtare. Ndërsa negociatat për koalicionin po zvarriten, vendi do të duhet tia dalë me një kryeministër kujdestar. Por sa mund të zgjasë?
Kryeministri belg, Yves Leterme, dha dorëheqje prillin që shkoi, por sërish ai shkon në punë. Në fakt, në mes të gushtit ai ishte kryeministër kujdestar më shumë se çkishte qenë kryeministër i zgjedhur.
Duket e çuditshme, por Belgjika është vendi i surrealizmit- por më e çuditshmja është se edhe pas një viti, nuk duket asnjë zgjidhje në horizont.
Belgët pretenduan me krenari rekordin botëror në shkurt, për vendin që ka qëndruar më gjatë pa një qeveri.
Një faqe në internet numëroi ditët- 17 shkurt- titulli iu mor Irakut, që kaloi në vitin 2009 289 ditë pa formuar një qeveri. Faqja në internet shpalli: Po belgë, ne ia dolëm.
Të tjera burime thanë se në fakt ky rekord mbahej nga Kamboxhia, e cila kaloi 353 ditë për të formuar një qeveri në vitin 2003. Belgjika e ka kaluar këtë shifër më 1 qershor.
Teknikisht kjo mund të zgjasë deri në vitin 2014 kur do të mbahen zgjedhjet e reja federale, thotë eksperti i politikës, David Sinardet.
Le të themi që kemi zgjedhje në vitin 2014 dhe hasim probleme në krijimin e qeverisë. Kjo qeveri kujdestare do vijojë edhe më tej. Përsa kohë komandon një maxhorancë në parlament, e vetmja pengesë në vijim do ishte frika nga absurditeti.
Padurimi
Shumë pak në Belgjikë besojnë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ndihmojë.
Problemi është shfaqur për shkak të ndarjeve të thella mes zonës që flet holandisht dhe pjesës tjetër që flet frëngjisht dhe mungesa e besimit tek ndonjë parti vërtet nacionale.
Negociatat e pafrytshme për koalicion gjatë vitit të fundit janë përqendruar në kërkesën e pjesës që flet holandisht për të transferuar pushtetin nga qeveria qendrore.
Ajo që shihni është padurimi, por mbi të gjitha një mungesë e përgjithshme interesi. Njerëzit janë të lodhur nga kjo gjë, veçanërisht sa i përket pjesës institucionale, thotë gazetari i De Standaard, Marc Reynebeau.
Njerëzit flasin për të njëjtën çështje gjithmonë, duke përsëritur të njëjtat fjali. Po i lodh shumë njerëzit. Kjo forcon tjetërsimin e qytetarit nga elita politike.
Zgjedhjet e reja, argumenton ai, do prodhojnë të njëjtin rezultat si vitin e shkuar, ose më shumë parti populiste do fitojnë terren.
Pavarësisht të qeshurave për rekordin e ri, shumë belgë nuk duken të qetë me këtë.
Nuk është ky rekordi që duam të vendosim. Nëse njerëzit qeshin, e bëjnë për të fshehur turpin, thotë Marc Reynebeau.
Në janar mijëra njerëz protestuan kundër dështimit për krijimin e një qeverie.
Përpjekjet e fundit për të mobilizuar protesta kanë dështuar dhe disa arsyetojnë se zemërimi është kthyer në dorëzim. Por një sondazh i fundit tregon se 57 përqind e belgëve thonë se shqetësimi më i madh i tyre është situata politike, një shifër shumë më e lartë në krahasim me vendet e tjera evropiane.
Një demokraci e re
Ka shumë pak bazë ligjore në Kushtetutën e Belgjikës për një qeveri kujdestare afatgjatë.
Përgjithësisht ajo mund të ndërmarrë hapa urgjentë, ose të vijojë implementimin e politikave të qeverisë së mëparshme.
Çështja e madhe është nëse qeveria kujdestare do të nisë të merret me reformën afatgjatë në fushën e financave publike, për të cilën gjitha palët bien dakord se është e nevojshme, në mënyrë që të trajtohet borxhi gjigant i Belgjikës, i treti më i madhi në BE.
Por në një vlerësim ditë pas dite, Belgjika po ecën përpara mirë. Ekonomia po rritet, eksportet gjithashtu, investimet e huaja janë rritur, presidenca e BE në vitin 2010 ishte një sukses dhe vendi po kontribuon në bombardimet mbi Libi.
Kjo vjen pjesërisht për shkak se kujdestarët dhe punonjësit civilë janë menaxherë të mirë, por edhe për shkak se shumë pushtet i ka kaluar qeverinë rajonale të Belgjikës- pa përmendur bashkimin e sovranitetit me vende të tjera të Eurozonës dhe Bashkimit Europian.
Ne kemi një formë të re qeverie, një formë të re demokracie, duke i provuar botës se kjo ideja e çmenduar që ju keni nevojë për një qeveri të plotë me fuqi të plota nuk është tamam e vërtetë, thotë David Sinardet, një profesor në Universitetin e Antverpës, me një dozë të rëndë ironie.
Marc Reynebeau thotë se zgjedhjet e reja mund të thirren në vjeshtë ose vitin tjetër në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale.
Por një mundësi tjetër, thotë ai, është që parlamenti të ushtrojë më shumë iniciativë dhe që qeveria kujdestare të marrë përsipër më shumë pushtet. Në këtë mënyrë ai thotë se kjo mund të zgjasë edhe një vit.
Nuk mund ta dish se kur do bëhesh kryeministër, thotë ai. Po këto ditë nuk e merr vesh kurrë se kur do të heqin nga kjo detyrë.
BBC