Policia më e keqpaguar në gjithë Ballkanin
Pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe efektivëve të saj, janë më të ulëtat në krahasim me pagat e kolegëve të tyre në të gjithë rajonin. Një fakt të tillë e vë në dukje kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta, i cili na tregon se efektivët e policisë në Shqipëri kryesojnë edhe një tjetër renditje, atë të policëve më të taksuar në gjithë rajonin. Bëhet fjalë për përqindjen e rrogës që mbahet për efekt taksash dhe tatimesh, si dhe për efekt të sigurimeve të ndryshme.
Sipas kryesindikalistit të uniformave blu aktualisht prej pagave të Policisë së Shtetit, në forma të ndryshme të taksave e tatimeve, mbahen rreth 28% e shumës, ndërkohë që për profesione të tjera kjo përqindje është më e ulët (midis 21 dhe 23%). Fishta thotë se, jo vetëm në Slloveni, Bullgari, Kroaci, Serbi apo Rumani, po edhe në vende problematike, si Bosnja apo Maqedonia, apo në vende të vogla e pa traditë në qeverisje, si Mali i Zi.
Vendet në fjalë kanë dalë nga sistemi komunist dhe janë futur në periudhën e tranzicionit në të njëtën kohë me vendin tonë, madje një pjesë e tyre kanë patur dhe luftëra shkatërruese në vitet ’90, por trajtimi i punonjësve të policisë mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë, ka disnivele të kon iderueshme, të cilat nuk kanë përputhje as në një krahasim të mundshëm me nivelin e jetesës së këtyre vendeve në raport me Shqipërinë.
Sipas Fishtës, dy janë aktualisht problemet që e shkaktojnë këtë disnivel pagash.
E para, taksat shumë të larta, ndër të cilat bie në sy taksa për pensionin suplementar, që është në masën 5 %. Elementi i dytë, që sipas Fishtës ndikon nivelin e ulët të të ardhurave, është mosvlerësimi i punës së policisë siç duhet. Sipas Fishtës, puna e policisë nuk mund të vlerësohet njësoj si me nivelet e tjera të administratës, sepse duhet të llogariten rreziqet, vështirësitë dhe privimet që ka një punonjës i policisë prej angazhimit të tij në këtë strukturë.
“Në disa nga vendet e rajonit, tonë, një pjesë të taksave të Policisë, rimbursohen nga vetë shteti, apo nga organizata e Policisë, duke e shmangur mbajtjen e taksave të larta nga rrogat e policëve. Po ashtu, në këto vende pagesat e taksave të pensioneve suplementare në disa raste dhe në mënyrë të pjesshme rimbursohen nga shteti”, tregon Sadetin Fishta. “Ne kemi ofruar një sërë sugjerimesh dhe aktualisht dhe presim që ato të diskutohen dhe të marrin përgjigje pozitive. Grupi është në fazën e marrjes së informacionit dhe të dhënave që më vonë do të analizohen”, tha Fishta për “Shekullin”.
Taksohemi më shumë, paguhemi njësoj
Policia e Shtetit u bë e para strukturë e Administratës Publike në vendin tonë që përfitoi pension suplementar, në sajë të një pagese prej 1 % të pagës vjetore që ka filluar të depozitohet në fondin e Insitutit të Sigurimeve që nga viti 2001. Në vitin 2006, fondi që do të mbahej me vendim qeverie, u bë 2 % dhe në janar të 2011, fondi arriti në 5 % të pagës. Pavarësisht se Policia është kontribuesja më e madhe e këtij fondi, me 5 % të pagës, dhe e ka nisur derdhjen e këtij kontributi e para, që në vitin 2001, ajo aktualisht është barazuar me struktura të tjera të Administratës, Si Ushtria, Garda e Republikës, apo Policia e Mbrojtjes ndaj Zjarrit etj.
Veç kësaj, aktualisht policia merr një pension suplementar prej 15 mijë lekësh të reja, po aq sa edhe strukturat e tjera që trajtohen me pension suplementar, pavarësisht se ka kontributin më të madh dhe ka edhe jetëgjatësinë më të madhe të derdhjes së këtij kontributi që nga viti 2001.
SHEKULLI