Jeta virtuale dhe ndikimi tek adoleshentët, çfarë këshillon sociologia

Jeta virtuale gjithnjë e më tepër po ndikon tek moshat e reja, kryesisht tek adoleshentët, të cilët janë në fazën e formimit të identitetit dhe personalitetit të tyre.
Për sociologët, rrjetet sociale japin informacione pa fund, ndaj nevojitet një orientim për të rinjtë, në mënyrë që të marrin informacionet e dobishme për ta.
“Teknologjia është thjesht një mjet që përdoret nga ne, pra nuk është një menaxhuesi ynë. Ne e menaxhojmë teknologjinë. Njeriu e menaxhon. Në këtë rast, të rinjtë, adoleshentët nuk kanë një mirorientim drejt përdorimit të teknologjisë nga shkolla, sistemi arsimor dhe nga familja, prindërimi efektiv. Në të dyja rastet, mungesa e mirinformimit, e vetëdijësimit, e rritjes së vlerave që ka teknologjia nëse e përdorim në mënyrën e duhur dhe për gjërat që na vlejnë në jetë, çon që shpeshherë të abuzohet, të keqpërdoret dhe të hyhet në pjesën e marrjes së modeleve jokoherente, jo të duhura,” thotë sociologia Maria Dojçe.
Sipas saj, sa i takon kujdesit dhe kontrollit të adoleshentëve, duhet më shumë përgjegjësi familjare.
“Prindërimi në shoqëritë tona është në krizë. Sot fëmija është bërë kryefjala e prindërve dhe nga dashuria pa limit që çdo prind ka ndaj fëmijës, harrojnë që këtij fëmije i duhet treguar edhe limiti, i duhet thënë ‘jo’,” shton sociologia.
Veç familjes, sipas znj. Dojçe, edhe shkolla ka një rol të rëndësishëm në edukimin dhe orientimin e të rinjve drejt zgjedhjeve të duhura.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/