Jetësimi i një ëndrre të kahmotshme

Dua tjua rikujtoj sot, në këtë ditë gëzimi, se në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur Kosova po përjetonte dhunën brutale të Millosheviqit, prijësi ynë historik, dr. Ibrahim Rugova doli me idenë e ndërtimit të kësaj autostrade, e cila, siç thoshte ai, do ta ndihmonte integrimin nacional të shqiptarëve dhe integrimin e gjithë rajonit në Evropë
Nga Fatmir Sejdiu*
President i Republikës së Kosovës
Lexoni dhe Specialen: Autostrada që lidh dy shtetet, nis zyrtarisht korridori i kombit shqiptar
Sot po nis jetësimi i një ëndrre të kahmotshme,
ndërtimi i autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdar, e cila do ta lidhë Kosovën
me Shqipërinë dhe me gjithë rajonin në udhën tonë të pakthyeshme drejt
integrimeve euroatlantike.
Që sot, po nis beteja e madhe për rrugën e shpresës sonë të përbashkët për
zhvillim më të shpejtë ekonomik, sepse kjo autostradë do të ndikojë
drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Por, përtej dobisë
ekonomike, përtej lehtësive të mëdha që do të na sjellë në bashkëpunimin dhe
njohjen e ndërsjellë, kjo udhë ka domethënie shumë më të fuqishme shpirtërore
për ne, sepse shënjon përfundimin e ndarjes së padëshiruar që na është imponuar
shekuj me radhë.
Duke shtrirë autostradën mes për mes Kosovës,
ne do tu japim mundësi qytetarëve të vendit tonë, po edhe të gjithë vendeve të
tjera të rajonit, që më lehtë ta prekin bregdetin e bukur të Adriatikut dhe të
Jonit shqiptar. Anasjelltas, kjo udhë, do tua bëjë më të afërt edhe fizikisht
qytetarëve të Shqipërisë Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Therandën, Ferizajn,
Prishtinën, Podujevën dhe gjithë Kosovën.
Do të marrin fund kështu udhëtimet e gjata e shumë të lodhshme dhe do të hapen
horizonte të reja për bashkëpunim intensiv tregtar, turistik, kulturor, sportiv
etj.
Kosova do të afrohet me detin, ndërsa Shqipëria do ta ketë një mundësi më shumë
për lidhje tokësore me Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën. Kësodore, dobia
do të jetë e shumëfishtë; çdo verë, qindra-mijëra pushues nga Kosova do të
pushojnë në Shqipëri, duke ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë së
këtij vendi. Në anën tjetër, pushues të shumtë nga Shqipëria mund ti shijojnë
peizazhet e bukura të Kosovës, sidomos terrenet e jashtëzakonshme për turizëm
dimëror dhe skijim. Me një fjalë, ata që kanë kundërshtuar lidhjen e dy vendeve
tona me anë të kësaj autostrade, për shkak të kostos së lartë, shpejt do të
binden se nuk kanë pasur të drejtë, ngase përfitimet që do ti sjellë ndërtimi
i saj do të jenë shumë më të mëdha.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Zonja dhe zotërinj
Dua tjua rikujtoj sot, në këtë ditë gëzimi,
se në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur Kosova po përjetonte dhunën brutale të
Millosheviqit, prijësi ynë historik, dr. Ibrahim Rugova doli me idenë e
ndërtimit të kësaj autostrade, e cila, siç thoshte ai, do ta ndihmonte
integrimin nacional të shqiptarëve dhe integrimin e gjithë rajonit në
Evropë.
Në fund, dua tju uroj të gjithëve udhë të mbarë nëpër këtë autostradë të së
ardhmes sonë, më besimin se ajo do të realizohet sipas afateve dhe parametrave
të parapara në Marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë
të Transportit dhe Telekomunikacionit dhe kompanisë Bechtel-Enka. Më lejoni, po
ashtu, që në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës ti
përgëzojë Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Kosovës që për asnjë çast nuk u
lëkundën nga besimi se ne mund tia dalim mbanë dhe ta bëjmë këtë udhë, e cila
dikur ishte vetëm një ëndërr e bukur.
Urime dhe fat!
(*) Fjala e mbajtur sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e autostradës VërmicëPrishtinë-Merdar