Jetoj dhe shkruaj edhe për miqtë që nuk i kam më

“1Q84” është libri i ri i Haruki Murakami, një roman i gjatë, me 1000 faqe, madje aq i gjatë, sa do të botohet në tri vëllime. Për të shkruar këtë libër shumë voluminoz, autorit iu deshën tre vite punë. Murakami, 63 vjeç, ka pamjen e një adoleshenti të përjetshëm dhe është një njeri i cili e ndan kohën mes Japonisë dhe Amerikës, kur nuk është në ndonjë vend tjetër.
I pëlqejnë udhëtimet, avionët, madje në udhëtimet e gjata i pëlqen shumë që të ulet mes njerëzve dhe të ndjejë praninë e tyre. Ka edhe një vend tjetër që ai e quan “Atje tej”. Ky është vendi ku zhduket kur punon për të shkruar romanet e tij, i populluar me ata lloj personazhesh që popullojnë edhe librat e tij dhe që i kanë dhënë ngjyrë stilit të tij të të shkruarit, një stil enigmatik, i mbushur me emocione të mëdha, por shumë konciz dhe me reliev hera-herës të ashpër.
Zakonisht një stil i tillë nuk është karakteristik për romanet bestseller, por në rastin e Murakamit situata është e përmbysur. Vetë autori është modest dhe nuk e konsideron fare veten si një artist.
“Jam thjesht një djalë që shkruan. Asgjë më shumë”, thotë autori. Siç rrëfen edhe në një libër të fundit autobiografik, që e ka botuar pak kohë më parë, ai çohet çdo mëngjes në orën katër dhe shkruan deri në mesditë. Pasditen e kalon duke u trajnuar për garën e maratonës dhe duke dëgjuar muzikë të mirë dhe në fund, ia kushton kohën e mbetur së shoqes.
Ai është mësuar me këtë disiplinë që në të ri dhe thotë se është një nga elementët kryesorë për të arritur kryerjen e një pune voluminoze. Pa këtë disiplinë, nuk do të kishte mundur kurrsesi që të shkruante për tre vjet 1000 faqet e romanit të fundit. Për të, një shkrimtar, veç të tjerash duhet të jetë dhe fizikisht në formë, sepse të shkruarit tre vjet me radhë nga dhjetë orë në ditë kërkon shëndet dhe fizik të fortë. Për këtë ai ka zgjedhur që veprimtarinë e dytë pas të shkruarit, të bëjë vrapimin.
“Për të krijuar më duhet forcë gati fizike, sepse çdo herë që shkoj në studion time dhe ulem para kompjuterit më duhet që ta çel një derë për në një tjetër botë. Sigurisht është një çelje metaforike, por që kërkon forcë dhe po forcë kërkon edhe përballja me personazhet dhe njerëzit që më presin përtej. Dhe më pas, në përfundim të ditës krijuese, të duhet që sërish të rikthehesh dhe ta mbyllësh derën. Edhe kjo kërkon forcën e saj. Pra nëse e humbas këtë forcë, jam i paaftë që të krijoj dhe të zhvendosem. Një shkrimtar i mirë duhet që të jetë në formë mendërisht, shpirtërisht dhe fizikisht”. Më pas, shkrimtari shpjegon se në fakt, jeta e tij në përgjithësi, momentet krijuese ndjekin një rutinë, ose më mirë një ritual të caktuar, pa të cilin do të ishte i pamundur vetë krijimi.
“Kur zhytem te lënda e ngjarjeve dhe personazheve të mi, është si të zhytesh në një lëndë kaotike, të cilën duhet që ta formësosh vetë. Por për të hyrë dhe për të dalë që andej, të duhet forca e një veprimi rutinor, të cilin e njeh mirë. Duhet të jesh edhe shumë praktik. Sa herë që kam për të shkruar një roman, i them vetes: duhet të jem praktik, sepse njerëzit mërziten. Njerëzit presin gjëra dinamike, kreative, shpirtërore dhe për të gjitha këto duhet edhe shumë prakticitet”.
Një njeri që ngrihet aq herët sa Murakami, duket sikur në mënyrë të pashmangshme ka dy jetë, ose jeton në dy jetë. Është në fakt një jetë e vetme, e ndarë në dy pjesë. Një dualitet të cilin e ka krijuar edhe për shkak të profesionit, për shkak të jetëve të shumta që duhet të krijojë. Njëra është jeta e tij e zakonshme, tjetra, ajo që e jeton për punën dhe me ato që i ofron puna. Ky shkrimtar ka një parapëlqim të madh për paqartësinë e rrethanave dhe njerëzve, për pikëpyetjet, ndaj thotë edhe se në romanin e fundit ka shumë mundësi që njerëzit në fund të mbeten të zhgënjyer, sepse pikërisht në fund, kur priten edhe zgjidhjet, ajo çka të jepet është një pikëpyetje e madhe.
Në disa raste, ka njerëz që e kanë marrë këtë mënyrë të të përfunduarit të romaneve, si një përtaci të autorit, si një dembelizëm për t’i sistemuar të gjithë në fund të rrëfimit. Por vetë autori një mendësie të tillë i përgjigjet: “Nuk mund të jetë kurrsesi dembel një autor që krijon një univers të tërë personazhesh, ngjarjesh, që i tjerr dhe i shtjellon për një kohë të gjatë, duke u futur edhe në imtësi. Fundi që jep pikëpyetje ka të bëjë me vetë konceptin që kam personalisht për situatën aktuale, rrethanat dhe atë çka ndjej në përgjithësi për të gjitha situatat njerëzore dhe fatet njerëzore për të cilët shkruaj”. Elementët e rrethanave të këtij shkrimtari janë shpesh elementë misteriozë, madje jo vetëm për lexuesit, por edhe për atë vetë. Ai është i rrethuar në fakt nga papërcaktueshmëria.
Murakami shkruan pa një plan të saktë në kohë, në mënyrë intuitive. Ideja për romanin e fundit i erdhi ndërsa ishte në metronë e Tokios dhe më pas e ka zhvilluar pak nga pak, ndërsa nisi ta shkruante. Megjithatë ka intuitë për mbarëvajtjen e veprave të tij. Për librin e fundit, për shembull, e ka ditur se do të ishte voluminoz dhe shumëplanësh, një roman që do t’ia rrisë famën, por edhe që do t’i japë pak më shumë kohë për t’u marrë me veten dhe hobitë e tjera, pas përkushtimit të jashtëzakonshëm që i dhuroi për tre vjet.