E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të huaj dhe të afërt

‘Strange and Close’ titullohet ekspozita që është hapur në Bordeaux të Francës, në të cilën është duke u ekspozuar edhe një vepër e artistit kosovar Erzen Shkololli, të cilën e ka krijuar në vitin 1998 në Pejë.

Artisti kosovar Erzen Shkololli, i cili njëherit është edhe drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës, është prezantuar me një vepër të tij në një ekspozitë kolektive që është hapur në CAPC Muzeun e Artit Bashkëkohor në Bordeaux të Francës, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 12 shkurt të vitit të ardhshëm.

“Të huaj dhe të afërt – muzeu si lagje” quhet ekspozita e hapur nga CAPC / Van Abbemuseum dhe Evento, e cila paraqet punimet e artistëve të ndryshëm nga mbarë bota, e në mesin e të cilëve është edhe artisti kosovar Erzen Shkololli. Vepra e Shkolollit e prezantuar në këtë ekspozitë titullohet “Pejë, Kosovë, 1998”, e cila është krijuar në kohën e luftës në Kosovë, kur artisti Shkololli ishte 22 vjeçar. Mirëpo, ky punim vetëm tani, 13 vjet më vonë, ekspozohet publikisht për herë të parë.

Në vitet e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, vepra është mbajtur në magazinë, së pari në Kosovë e më vonë në Berlin.

“Vepra 'Pejë, Kosovë, 1998' është bërë në kohën e luftës kur Erzeni, artist i ri në atë kohë, ishte ngujuar i fshehur me familjen e tij në Pejë për tre muaj, përderisa e tërë lagjja e tij ishte spastruar etnikisht. Për të mbetur aktiv, ai ka përdorur çfarëdo që ka mundur të gjejë në ato rrethana, si për shembull material nga dyqani për qepje me porosi i babait të tij dhe nga makina qepëse e nënës së tij. Si rezultat, ai ka bërë një seri të mozaikëve të qepur plot me ngjyra, 22 metra të gjatë”, thuhet për veprën e tij në përshkrimin që i bëhet nga organizatorët e ekspozitës.

Titulli i ekspozitës vjen nga një përshkrim i tmerrshëm i thyerjes në shoqëri, që ishte paraqitur nga Homi Bhabha në Van Abbemuseum në vitin 2007. Për të, ‘Strange and Close’ (I huaj dhe i afërt), është një mënyrë e kuptimit të aspektit thelbësor të të qenit fqinj. Titulli gjithashtu ofron një mënyrë të të menduarit rreth marrëdhënieve ndërmjet shikuesve dhe veprave të artit, si objekte të vështrimit.

‘Strange and Close’ është një ekspozitë e ngatërruar në të cilën arti, arkivat, historitë dhe të ardhmet janë të përziera dhe të përmirësuara. Kërkon mënyrën se si marrëdhëniet nëpër tërë globin dhe në qytet ndryshojnë me proceset e globalizimit që e shënon kohën tonë. Çfarë armiqësish dhe kompeticione dalin në shesh? Si reagojnë artistët nëpër botë? Si shoqëritë e qytetit i reflektojnë historitë dhe arrijnë në përfundim me vlera tjera dhe mënyra tjera të shikimit të botës? Këto janë disa nga pyetjet që shtrohen më këtë rast e që artistët që ekspozojnë këtu mundohen t’u përgjigjen me veprat e tyre.

Përpos Shkolollit, në këtë hapësirë janë prezantuar edhe artistë të njohur të vendeve të tjera.

Van Abbemuseum është një prej muzeve të parë publikë që i dedikohet artit bashkëkohor të krijuar në Europë. Në koleksionin e këtij muzeu përfshihen vepra të artistëve të njohur botërorë si për shembull Mondrian, Picasso, Kokoschka, Morris Louis, Carl Andre, Stella, Broodthaers, Bacon, Beuys, Nauman, Long, Merz, Penone, Paul McCarthy, Mike Kelley, etj.

Kuratorë të ekspozitës janë Charles Esche dhe Galit Eilat.

Erzen Shkololli është artist dhe drejtor aktual i Galerisë së Arteve të Kosovës, si dhe kurator dhe bashkëthemelues i Institutit për Art Bashkëkohor Exit në Pejë. Veprat e tij artistike paraqesin ritualet vendore dhe folklorin për të tërhequr vëmendjen ndaj situatave socio-politike në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›