E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo falje për të dënuarit me burgim të përjetshëm

08/06/2010 Ministri Nishani sqaron projektin e Qeverisë “për faljen”

Personat e dënuar me burgim të përjetshëm nuk do të përfitojnë falje tërësore apo të pjesshme të dënimit. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i pranishëm në komisionin e Ligjeve, ka sqaruar parlamentarët mbi projektligjin e Qeverisë “Për faljen”. Ai ka bërë me dije se për hartimin e projektit janë marrë në konsideratë opinionet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile. “Ka pasur një diskutim mes specialistëve për këtë çështje, por dhe në Qeveri, para se të përcillej në Parlament, ka një argument, i cili lidhet me masën maksimale të dënimit që parashikon Kodi Penal i yni, që është 25 vjet. Nëse i referohemi praktikave të vendeve të tjera, mund të ketë dënime dhe 40, 50 apo 60 vjet. Nëse ne e falim dënimin me burgim të përjetshëm, masa minimale e dënimit të tij do të jetë 25 vjet, që do të thotë për krimin që ai mund të ketë kryer ne e kemi konsideruar si një masë të butë, kështu që duke pasur parasysh dhe kontekstin shqiptar, mendojmë që aktualisht ne duhet të shkojmë drejt një politike të tillë që personat e dënuar me burgim të përjetshëm të mos përfitojnë nga ky ligj”, tha Nishani në fjalën e tij. Në qoftë se deri tani Presidenti ishte institucioni i vetëm që kishte ekskluzivitetin e faljes së të dënuarve, tashmë më tepër kompetenca në këtë drejtim do të ketë dhe ministri i Drejtësisë. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një “vjedhje” kompetencash, por lehtësim të punës së kreut të shtetit në përzgjedhje. “Unë s’kam të drejtë vendimmarrëse, sepse ajo i takon Presidentit. Unë propozoj dhe kërkesat i shoqëroj me informacionin e duhur”, tha Nishani.

Kryeministri Berisha

“Ligji bie ndesh me qëndrimin e ekspertëve dhe kjo pikë është përfshirja ose jo në sistemin e faljes së atyre që kanë marrë dënim të përjetshëm. Kodi Penal pas dënimit përjetë ka dënim të dytë maksimal 25 vjet, natyrisht kjo s’mund të bëhet. Por, në rast se PS-ja bie dakord ta ndryshojnë Kodin, mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes”.

Ministri Nishani

“Natyrisht që asnjë prej këtyre veprave penale (krim i organizuar, trafiqe) nuk përjashtohet. Kriteret ndaluese janë qartazi të përcaktuara për ato vepra penale, të cilat janë të renditura në dispozitë, dhe për rrjedhojë, qoftë me masën e kryer të ekzekutimit të vendimit penal, qoftë të elementeve të tjera, ai mund ose mund edhe të mos përfitojë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›