E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratiset 12-vjeçarja, e ngacmoi babai i cili gjendet i vdekur

08/06/2010 U kishte vdekur nëna 7 muaj më parë. Fëmijët refuzojnë të marrin trupin e babait

DURRES- Tetë fëmijë të një familje janë përballur në harkun kohor të tre muajve me një sërë tragjedish deri tek ngacmimi i minorenes nga i ati, ndërkohë që ky i fundit është gjetur i vdekur në autostradë. Vdekja e gruas së shtëpisë, dhuna e presioni psikologjik në familje, varfëria e madhe, largimi i vajzës pa adresë nga banesa ka shkaktuar në shtëpinë e shtetasit Kujtim B një sërë fatkeqësish. Dy ditë më parë vajza është deklaruar e humbur, kurse i ati i saj është aksidentuar në rrugë dhe ka humbur jetën.

Ngjarja

Dy ditë më parë shtetasi H. B lindur e banues në qytetin e Durrësit ka denoncuar në polici largimin e së motrës 12-vjeçare, Anroma B. Minorenia e lindur në mars të vitit 1998 është larguar në orët e pasdites së ditës së shtunë nga shtëpia dhe pasi nuk është kthyer edhe në mbrëmjen e vonë vëllai i saj më i rritur në moshë ka kërkuar ndihmën e uniformave blu. Ai ka shkuar në polici në të zbardhur të ditës dhe ka qëndruar deri sa ka nënshkruar denoncimin duke dhënë edhe të dhëna lidhur me paraqitjen fizike të së motrës, rrobat, nivelin arsimor, emrat e të afërmve dhe të dhëna të tjera. Por në të njëjtën kohë që djali i shtëpisë kërkonte të motrën i ati i tyre Kujtim B gjendej në morgun e spitalit të Durrësit që prej një nate më parë. Fillimisht shtëpisë së fëmijëve të mbetur jetim pa nënë e pa baba dhe me një motër të ikur pa adresë në moshë shumë të vogël, u ka vdekur nëna. Gruaja e shtëpisë ishte prekur pesë muaj më parë nga kanceri duke lënë pas 7 fëmijë në një moshë të re. Kryefamiljari sipas banorëve të lagjes ishte i njohur si konsumator, ndërsa disa ditë para se të gjendej i vdekur ai është përfolur se ka ngacmuar të bijën. Banorët që njohin nga afër familjen e bërë objekt për policinë nuk dinë saktësisht nëse bëhet fjalë për ngacmimin e vajzës që është larguar nga shtëpia apo të një tjetre më të madhe në moshë. Të njëjtat pohime thonë se burri i shtëpisë që është gjetur i vdekur në rrugë konsumonte shumë alkool dhe se familja jetonte në varfëri të plotë. E gjithë familja jetonte në një banesë të vjetër dhe të dëmtuar, e cila ishte përshtatur për shtëpi. Rreth tre-katër muaj më parë nëna e 7 fëmijëve ka vdekur e prekur nga kanceri. Por në javën e kaluar një nga vajzat e shtëpisë flitet se është bërë viktimë e të atit, i cili e ka ngacmuar atë. Në fundjavë minorenia Anroma B e moshës 12 vjeç ka ikur pa adresë, ndërsa natën i ati i saj, Kujtim B, është gjetur i vdekur në një aksident rrugor në autostradën Tiranë-Durrës. Autori i aksidentit nuk është ndalur për të dhënë ndihmë apo për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes, ndërsa viktima i moshës 60 vjeç është dërguar në morgun e Durrësit ku ka qëndruar për dy ditë e dy net. Autori i aksidentit është identifikuar nga policia, ndërkohë që viktima është refuzuar të merret nga pjesëtarët e familjes duke ia lënë komunales të kryejë varrimin e 60-vjeçarit. Nga ana tjetër policia ka nisur të kërkojë në disa vende vajzën 12-vjeçare për ta kthyer atë në shtëpi, por deri më tani nuk ka mundur të identifikojë vendin e strehimit të saj. Policia ka bërë të ditur se një ditë më parë është deklaruar nga familjarët i humbur edhe shtetasi Katan Isufi 15 vjeç nga Peqini. Edhe ky minoren ende nuk dihet se ku është strehuar ndonëse janë bërë disa kontrolle banese. Në fundjavë edhe tre femra kanë kërkuar mbrojtje për shkak të konflikteve në familje. E. M 48 vjeçe nga Kavaja me banim në Durrës ka denoncuar bashkëshortin I. M për dhunë sistematike. Edhe shtetasja B. Sh. banuese në lagjen numër 8 të Durrësit ka bërë të njëjtin kallëzim ndaj burrit të saj Q. SH. Personi i tretë që është marrë në mbrojtje nga policia është shtetasja 21 vjeçe L. P nga lagjja numër 11, e cila akuzon për dhunë të vëllain.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›