“Jo paraburgim pa gjyq”, Rama: Jemi e vetmja parti që i kemi hequr politikës duart nga drejtësia

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me asambletë socialiste në njësitë 8,9,11 të Tiranës.
Në fjalën e tij, Rama tha se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që synon një drejtësi të pavarur dhe me standard evropiane.
Ai hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga opozita se qeveria është një rrezik për SPAK.
Kryesocialisti theksoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe drejtësi me vendim të formës së prerë, jo paraburgim pa gjyq. Rama deklaroi se “kafshimet” gabim të drejtësisë kthehen në tragjedi për të dyshuarit.
Rama: Partitë e tjera programet i bëjnë për qejf, sepse as nuk kanë gjë në dorë dhe as nuk do t’u vijë gjë në dorë. Askush në programet e tyre nuk e ka thënë se paga mesatare do të jetë 930 euro.
Për herë të parë në historinë tonë na është hapur një dritare, një mundësi që pak vite më parë dukej e pamundur. Brenda pak më shumë se dy vitesh do të mbyllim gjithë procesin e negociatave me BE dhe do të hapim derën për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Kjo është ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë.
Ne jemi partia politike dhe e para forcë me pushtet në Shqipëri që i kemi hequr politikës duart nga drejtësia, sepse kemi dashur të krijohet një sistem drejtësie të pavarur dhe të luftojë me hajdutët, edhe brenda nesh. Pavarësia ka qenë kryesorja, ama nuk është vetëm pavarësia, është edhe profesionalizmi dhe standardi evropian. Ne duam drejtësi me vendim të formës së prerë, jo paraburgim pa gjyq. Duam një sistem drejtësie evropian, jo si në Rusi.
Një qeveri si e jona, që për dy mandate ka qeverisur e vetme dhe i ka thënë drejtësisë: “Dil e pavarur dhe ja ku më ke. Ha trupin tim, se nuk kam problem!” Kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedia. Këtu është krijuar ideja se të gjithë janë hajdutë, janë kriminelë, sepse nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të na mundur.
Sot ulërasin lloj-lloj specie të kënetës, duke thënë se ne po rrezikojmë SPAK-un, se jemi rrezik për SPAK-un. Ndërkohë, bufi bashkë me zhabat vazhdon të çojë denoncime në SPAK. Drejtësia është edhe peshore. Drejtësia nuk duhet të shohë kush është më i gjatë apo më i shkurtër, kush është akuzuesi dhe kush është i akuzuari. Drejtësia duhet të jetë e paanshme.
/vizionplus.tv