Jo vetëm juristë dhe ekonomistë, por edhe filozofë, sociologë dhe psikologë me shumicë
Tanimë nuk ka dyshim se diploma e juridikut në Shqipëri ka humbur vlerë. Madje me shaka thuhet se një në dy persona ka një diplomë të tillë.
Por ndërsa në këtë fushatë zgjedhore u tha se arsimi i lartë është katandisur në atë derexhe sa printon vetëm diploma për juridik dhe ekonomik, në fakt nuk mbeten pas edhe degët filozofi, sociologji dhe psikologji.
Siç raporton e përditshmja Shqip, për këtë vit, në universitetin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe të Korçës, qeveria ka miratuar rreth 730 kuota për sistemin part- time dhe në distancë po ashtu janë edhe rreth 150 kuota për sistemin e ditës, për këto degë: Filozofi, Sociologji, Punë Sociale, Psikologji. Kuotat më të mëdha i ka universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, por edhe universiteti i Elbasanit.
Më pas vjen universiteti i Durrësit dhe i Elbasanit, që ka edhe numrin më të vogël të të drejtave të studimit për këto degë të shkencave humane.
Kuotat janë kursyer për degën e Shkencave Politike, në të cilën mund të studiohet vetëm në sistemin me kohë të plotë, ditën. Gjatë këtyre viteve, kjo degë ka vijuar të jetë ndër më të kërkuarat, por asnjëherë nuk është përfshirë në studimet me kohë të pjesshme, apo për edukimin në distancë./ep