Joachim Gauck, president i ri i Gjermanisë?

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë të dielën në mbrëmje se koalicioni i saj dhe opozita janë pajtuar që të nominojnë aktivistin për të drejtat e njeriut të Gjermanisë Lindore, Joachim Gauck, për president të ardhshëm të vendit, pasi që presidenti i deritashëm, Christian Wulff dha dorëheqje të premten, pas dyshimeve të ngritura për korrupsion.
Gauck, 72 vjeçar, është ish-prift protestant në Gjermaninë Lindore, i cili ka mbikëqyrur arkivat e policisë sekrete Stasi, pas rënies së murit të Berlinit.
Merkel ka premtuar që këtë herë do të kërkojë president konsensual. Por nuk kishte qenë e lehtë të gjendej një emër i përbashkët me partitë e opozitës. Madje problemin më të madh kancelaria gjermane e pati me liberalët në koalicionin e saj. Në fund u vendos. Një dramë u mbyll, shkruajnë mediat gjermane.
Madje u mbyll aq shpejt, sa vetë Gauck thotë se e mori vesh lajmin ndërsa ishte në taksi duke u kthyer nga një udhëtim në Vjenë. “Isha duke u kthyer nga një fluturim, kur më mori në telefon kancelaria”, rrëfeu Gauck.