E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joavi dhe Itai në Shqipëri

Pak orë me dy turistë nga Izraeli. Në ç’mënyrë e kanë zbuluar ata Shqipërinë dhe prezantimi i parë me këtë vend

Me Joavin dhe Itain u takuam në qiell, duke lënë në linjë ajrore Stambollin. Djemtë, kokëqethur e të drojtur, jetojnë në Tel Aviv dhe u prezantuan si hebrej. Shkonin në Theth, në parkun turistik. Hera e parë që vinin në Shqipëri dhe shkonin nga Shkodra drejt e në Theth, Bogë e Valbonë më pas.

Në këtë moment duhet të jenë në ndonjë fshat të virgjër të Vlorës ku dielli po perëndon në det. Po pijnë raki mbase, po shohin burra shqiptarë që regjen me ajrin e paragjumit në kafene dhe gra të ngarkuara me samarë, jo nga jonxha dhe thasët, po nga përtacia e burrave. Një skenë të ngjashme, Itai na e tregoi - Tirana për çudi atë mbrëmje dukej e pastër dhe jo shumë kokëçarëse - pas udhëtimit në Thethin që i kish lënë pa mend. I thamë se para njëqind vitesh një poet nga Jugu fare i Shqipërisë shkruante vargje për këtë panoramë të cilën mysafiri nga Izraeli e tërhoqi nga rafti permanent i zakoneve – le ta quajmë “Remember Albania”, - si kartolinë nga veriu ynë i sotëm ku mund të ishin shkruar vargjet: “O moj shqipëtarkë/ që vet’ e nget qetë/ edhe drek’ e darkë/ kthehesh e bën vetë”.

Joavi që është më i stërvituri me anglishten, thotë se në Theth as i ka ftuar, as i pret njeri. Ai është 30 vjeç, student për Filozofi dhe Shkenca Politike. Shoku i tij, një vit më shumë, studion inxhinieri elektronike. Çdo vit ata zgjedhin për turizëm një vend të botës. Zgjedhjen e turizmit malor në Shqipëri na e treguan me të kuqe tek një hartë ruse ku janë shënuar vendet e Lindjes që e kanë akoma në fazë “primitive” turizmin. “Ne duam të shkelim të parët në ato vende që nuk janë bërë akoma turistike.

Siçtregojnë ata, ky informacion nuk u ka ardhur nga ndonjë burim shqiptar, zyrtar, privat apo miqësor, nga ministria e Turizmit apo agjenci turistike. Diçka kanë dëgjuar për Shqipërinë si vend që ka ndihmuar hebrenjtë gjatë luftës; dinë nëpër mjegull për Enver Hoxhën; për gjuhën shqipe si gjuhë e lashtë me alfabet latin, por që iu tingëllon si italishte.

Një i njohuri i tyre që kish ardhur këtu dikur, iu kish dhënë një Guidë “Albania” e hartuar nga një autore e huaj. Nga një vështrim i shpejtë dukej se përmbante informacion të vjetëruar. I binte që kjo guidë t’i çonte dy të rinjtë në hotele e restorante dje të rëndësishëm, sot të zhvlerësuar. A nuk është, të paktën, Tirana një qytet i modës, diçka që ndryshon dhe nuk lë gjurmë në kohë, një qytet pa memorie, efemer? Nuk është e sigurtë që turistët vijnë në Shqipëri për të parë nga afër “tranzicionin”. Përvoja që merr në një vend nuk i takon vetëm shijes dhe përshtypjeve. Asnjë turist, sidomos ai më aventurieri, nuk do donte të provonte dy herë një gjë. Ky është thelbi i turizmit. Veç kësaj, njerëzit janë bërë snobë.

Shkurt, mënyra se si po i kishte tërhequr Shqipëria turistike dy të rinjtë ishte spontane, kaotike, çka mund të duket aventurë tërheqëse. Për ata që jetojnë përditë këtu kjo është forma e jetuarit me frymën “ec përpara”, “me të pyetur gjen Stambollin” e jo me furgonët e Shkodrës tek Zogu i Zi, aty ku s’dinin si të shkonin dy hebrenjtë.

Por të kalonin Rinasin njëherë, i vetmi fshat shqiptar ku ulen avionët ndërkombëtarë dhe ku shqiptarët janë vetvetja: nuk njohin shtet, janë të dhunshëm dhe të paduruar. Ana tjetër, shteti, dmth. policët, janë e kundërta: nuk e dinë pse janë aty, rrinë mbështetur në mur në gjendje të lirë, kruajnë hundën ose thonjtë me çelës, luajnë me celular dhe kur njerëzit janë bërë kapicë para kabinës së pasaportave vijnë me tërsëllëmë, të shtyjnë me krahë dhe thonë “mu bë vonë mua se vjen nga Stambolli ti”.

Qëlloi që të ishte dita e tregtarëve që ishin furnizuar në kryeqytetin turk. Tregtarë të vegjël me qese, çanta, pako të izoluara me ngjitës, në forma të ndryshme sipas llojit të mallit. Forma më interesante ishte ajo e violinçelit që kur u shuk në tokë u kuptua se nuk ishte violinçel, po një tip dekori.

Kur turma u nda nga dy gra me të zeza, policit që ishte lëshuar ndërkaq me llërët në ajër gati për t’i kthyer mbrapsht, dikush i bërtiti dhe i tha se u ka ndodhur një vdekje. Ai u mbraps dhe gati sa s’tha më fal. Nuk është për t’u habitur që gratë nuk e kaluan fare kontrollin e bagazheve aty ku në një aeroport tjetër të heqin dhe këpucët. Se mos vetëm ato, edhe të tjerë pasagjerë “të shëndetshëm”, kalonin pa iu nënshtruar fare kontrollit. Aty shërbente një vajzë me minifund, që kur e pa se nuk mund ta përballonte atë mal me mall turk dhe tregtarë, lëshoi pe.

“Sistem i çmendur”, tha një i ri i huaj që duke ngjeshur çantën e shpinës po linte radhën e njerëzve që bërtisnin dhe hidhnin si thes çantat e pazarit.

- Megjithatë, pamja këtu jashtë është jo e bukur, po magjepsëse”, shtoi Itai ndërsa prisnim orën tre për të marrë autobusin e linjës Rinas-Tiranë.

- Mund t’ju zënë sytë të tjera situata si ajo që lamë aty brenda dhe mos prisni të shihni qytete të mëdha e me arkitekturë. Shqipëria është “old neë country” dhe ka 17 vjet që udhëhiqet nga “djemtë e baballarëve”.

Atë çast ajo zemër që gufohet dhe merr për kot kur ngrihet flamuri me shqiponjë, ishte shfryrë dhe lëshuar si qese e mbaruar serumi mu para filxhanit të kafesë në stacion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›