Lidhja sipas austro-hungarezëve
Për herë të parë del në dritë dokumentimi i Lidhjes së Prizrenit sipas arkivave Austro-Hungareze
Një tjetër kënd nga mund të shihet më qartë historia. Përpos arkivave italiane, turke, apo londineze, arkivat e Vjenës zbulohen të jenë burim i pasur për historinë e kombit shqiptar. Me rastin e 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u promovuan dje dy vepra historiografike të botuara nga Instituti i Historisë në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar dhe “Albanica” e Prishtinës. Vepra e parë, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze, 1878”, botohet nën autorësinë e historianëve Beqir Meta, Ferit Duka e Marenglen Verli. Në të paraqiten dokumente të rëndësishme austro-hungareze lidhur me ngjarjet që i paraprijnë themelimit të Lidhjes, konsolidimit dhe veprimeve politike dhe ushtarake të saj për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Sipas autorëve koleksioni i Arkivit të Vjenës është më i kompletuari sa i përket kësaj periudhe historike, por edhe atyre që pasojnë. Këto dokumente dallohen nga pikëpamja e thellësisë dhe gjerësisë së informacionit historik që ofrojnë, i cili përfshin tërë hapësirën shqiptare, madje dhe vendet fqinje, historia e të cilave është e lidhur me atë shqipe. Vepra përfshin 248 dokumente, kryesisht raporte të konsujve të Vjenës, të cilët ishin me detyrë në qytetet e ndryshme shqiptare gjatë zhvillimit të ngjarjeve të bujshme, që ndodhën pas Paktit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Dokumentet hedhin dritë mbi raportet mes Lidhjes dhe shtetit osman, me Fuqitë e Mëdha, po edhe brenda vetë Lidhjes.
Për këtë ngjarje janë shfrytëzuar më së shumti dokumente nga arkivat turke dhe ky burim i “ri” shërben për të plotësuar informacionin dhe për të ballafaquar “vërtetësinë” e burimit të mëparshëm. Gjithsesi historianët e pranojnë se “megjithë seriozitetin e treguar në informacionet që përcjellin përfaqësuesit diplomatikë të mbretërisë dualiste, nuk mungojnë të shprehin interesat politike të shtetit të tyre, çka do të thotë se për Vjenën, çështja shqiptare duhej të ekzistonte dhe të zhvillohej vetëm brenda atyre limiteve që nuk cënonte përfitimet e saj territoriale të siguruara sipas skemës së vendosur në Kongresin e Fuqive në Berlin”. Megjithatë kjo është hera e parë që botohet një vëllim i plotë me dokumente nga ky burim.
Nga i njëjti bashkëpunim, po dje u promovua edhe vepra “Skënderbeu në shtypin e Rilindjes Kombëtare (1880-1912)”, e autores Liljana Verdho. Veprës i paraprin një studim i gjatë i autores dhe bashkëngjitur bibliografia e publicistikës shqiptare me temën e Skënderbeut, 1880-1912.