Kosova, Topi replikon me Tadic në Athinë
Presidenti i Republikës Bamir Topi mori pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore
TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi ka replikuar dje me Presidentin e Serbisë, Boris Tadic, gjatë Samitit të Krerëve të shteteve të Evropës Juglindore që u zhvillua në kryeqytetin grek. Gjatë fjalës së mbajtur, Tadic ka deklaruar ndër të tjera se shqiptarët e Kosovës kanë shkatërruar manastiret ortodokse gjatë viteve 1999-2004. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidentit shqiptar, Bamir Topi.Kreu i shtetit shqiptar ka deklaruar se duhen lënë mënjanë retorikat e vjetra nacionaliste, pasi axhenda e Samitit të Athinës vendos qartësisht në zemër të debatit rëndësinë e dialogut kulturor. “Ballkani, i cili ka vuajtur jo pak nga mendësitë e vjetra, luftërat dhe konfliktet ndër-etnike, duhet patjetër të largohet përfundimisht nga mendësitë ultra-nacionaliste dhe nga erërat e luftërave ndër-etnike dhe ndër-fetare, duke u projektuar i tëri drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimit të një bashkëpunimi ekonomik të qëndrueshëm”,- tha Topi gjatë Samitit. Presidenti i Republikës, nënshkroi dje pasdite në emër të Shqipërisë edhe deklaratën e Samitit të Athinës. Në përfundim të Samitit, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kreu i shtetit shqiptar deklaroi se, “ky është një moment shumë i rëndësishëm për zhvillimin e dialogut politik, për intensifikimin e tij të mëtejshëm dhe ky është një shembull i gjallë i vullnetit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore për të intensifikuar akoma edhe më tej marrëdhëniet dhe për të realizuar atë, që dikur e kemi vuajtur si një handikap: komunikimin ndërkulturor, konsolidimin e vlerave tona, shkëmbimin e përvojave, ashtu siç u arrit çdo gjë sot këtu në Samitin e Athinës”