Jonida, "e do vendin e saj"

Jonida Maliqi, ka rreth 20 vjet që është pjesë e skenave muzikore dhe prej një viti nëna e një djali të shëndetshëm që quhet Dan.
Çdo të diel ajo është pranë publikut në Top-channel si pjesë e emisionit “E dua vendin tim”. Një program argëtues por edhe shumë informues për traditën e çdo qyteti në çdo cep të Shqipërisë. Kjo eksperiencë e bukur dhe e suksesshme ka nxitur te këngëtarja e njohur dëshirën për të qenë pjesë e televizionit.
"Kur ma propozuan për herë të parë, si çdo njeriu kur i propozohet diçka e re, hezitova, por ky format më pëlqeu shumë. Është ndryshe, ndihesh dhe je më e lirë. Plus nuk ke një skenar fiks për të respektuar. Unë aty jam totalisht vetja edhe pse në fund të fundit luaj një lojë. Kjo punë më argëton shumë, sepse kam njohur edhe shumë njerëz të rinj, merr informacione të larmishme dhe besoj se kjo reflektohet edhe në ekran. Unë isha pjesë e sezonit të parë të “E dua vendin tim” dhe duke qenë se rezultoi një sezon shumë i suksesshëm vazhdova të jem edhe në sezonin tjetër", ka thene ajo per mediat shqiptare.
Duke folur mbi gjërat që i kanë bërë më tepër përshtypje nga Shqipëria, që nuk i kishte dëgjuar më parë, ajo ka thene:
"Oh, sa shumë informacion kam marrë unë, aq sa s’mund t’i ndaja kurrsesi. Rubrika e fjalëve me dialekt p.sh. më ka bërë të mësoj shumë fjalë që nuk e dija që ekzistonin. Gjithashtu edhe loja me veshjet tradicionale shqiptare është shumë interesante dhe, pse jo, edhe kur duhet të qërojmë patate apo arra… Këto janë pjesët më gazmore." /Indeksonline/