Jonuzaj për ATSH-në: Mbi 380 mijë hyrje-dalje udhëtarësh në Portin e Sarandës, rritje me 10%

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Porti i Sarandës vijon të shënojë rritje të lëvizjeve të pasagjerëve gjatë vitit 2026, duke konfirmuar rolin e tij si një nga pikat kryesore të hyrjes së turistëve në jugun e vendit.
Zëvendësdrejtori i Portit të Sarandës, Endri Jonuzaj tha për ATSH-në se gjatë periudhës janar–korrik kanë hyrë dhe kanë dalë nga porti 380 460 pasagjerë, me një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
“Gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2026, në Portin e Sarandës kanë hyrë 193 092 pasagjerë, ndërsa kanë dalë 187 368 pasagjerë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri total i lëvizjeve ishte 345 476 pasagjerë, me 176 070 hyrje dhe 169 406 dalje”, tha Jonuzaj.
Rritja e fluksit të udhëtarëve shoqërohet edhe me një aktivitet të lartë të mjeteve turistike detare.
“Gjatë 7 muajve të parë të vitit janë regjistruar 36 tragete turistike, 13 mjete cruise dhe 207 jahte, krahasuar me 35 tragete turistike, 15 cruise dhe 203 jahte në vitin 2025”, tha Jonuzaj.
Vetëm gjatë muajit korrik, Porti i Sarandës ka përpunuar 154 524 pasagjerë, nga të cilët 79 663 hyrje dhe 74 861 dalje.
“Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, kur u regjistruan 156 363 pasagjerë, ka një diferencë prej 1839 pasagjerësh më pak, e cila lidhet kryesisht me mungesën e trageteve cruise gjatë këtij muaji”, shtoi ai.
Gjatë korrikut të këtij viti janë regjistruar 3 tragete turistike, ndërsa në vitin 2025 ishin 6, ndërsa numri i jahteve ka mbetur i njëjtë, me 71 mjete të regjistruara në të dyja periudhat.
Porti i Sarandës vijon të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit detar, duke lidhur destinacionet e jugut të vendit me vizitorët vendas dhe të huaj dhe duke kontribuar në rritjen e ekonomisë lokale gjatë sezonit veror.
/k.s/j.p/r.e/