E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës vijon seancën e konstituimit

PRISHTINË, 8 gusht/ATSH/ Me kërkesë të kryesuesit, Avni Dehari, nga LVV-ja, Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën konstituive të nisur më 6 gusht

Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por edhe organizatat joqeveritare kanë thënë se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar në mesnatë.

Vazhdimi i seancës vjen në kohën kur LVV dhe LDK duket se janë ende larg një marrëveshjeje për krijimin e institucioneve.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se partia e tij do të jetë pjesëmarrëse në seancën e sotme.

Ai tha se shpreson që të ketë ndryshim të qasjes dhe të respektohet Kushtetuta, duke u konstituuar Kuvendi.

“Sot po presim që zhvillimet politike të çojnë drejt normalizimit të Kuvendit”, tha Haziri.

Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Ramush Haradinaj, tha se qëllimshëm, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu “kanë djegur afatin kushtetues” për formimin e institucioneve.

Ai tha se kjo çështje duhet të trajtohet me kujdes, sepse sipas tij, bëhet fjalë për themelet e shtetit.

“Rendi ynë kushtetues ka hyrë në situatë të re dhe duhet ta trajtojmë me kujdes”, tha ai.

Besnik Tahiri, deputet i zgjedhur i Aleancës, tha se qëllimi i LVV-së është të blejë kohë.

“Qëllimi është të bëhet një akt jokushtetues. Opozita ta çojë në Kushtetuese, që të mund të blihet kohë, të rritet presioni për një marrëveshje politike”, tha ai.

Sipas tij, tha se tani po bëhet lojë për “kush-kujt po ia lë fajin”.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se partia e tij nuk i thotë jo parlamentarizmit dhe nuk do ta bojkotojë punën e Kuvendit.

“Në seancë do ta themi qëndrimin tonë. Është seancë antikushtetuese, antidemorkatike që shkel çdo parim të procedurave se si duhet të konstituohet Kuvendi”, tha ai.

Sipas tij, kreu i LVV-së, Albin Kurti, “po përmbys rendin kushtetues” pas çdo cikli zgjedhor, në përpjekje për ta nënshtruar opozitën.

“Është situatë anarkike, jashtë rendit kushtetues”, tha Hoxhaj para nisjes së seancës. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›