E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jorgaq Kacani zgjidhet kryetar i Konferencës së Rektorëve

Për herë të parë për këtë vit është mbledhur Konferenca e Rektorëve. Kjo konferencë është mbledhur nën drejtimin e ministrit. Në Konferencën e Rektorëve morën pjesë rektorë dhe drejtues të 12 universiteteve publike dhe 19 universiteteve private. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë që është miratuar vjet, në këtë konferencë u zgjodh kryetari i saj. Me shumicë votash, si kryetar i Konferencës së Rektorëve është zgjedhur Jorgaq Kacani i cili është dhe rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës. Jorgaq Kacani ka marrë 19 vota kundrejt 8 votave që ka marrë rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Mësohet se kryetari i Konferencës së Rektorëve është përfaqësuesi i saj në veprimtaritë që parashikon ligji. Kryetari i Konferencës së Rektorëve zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme për një periudhë njëvjeçare. Bëhet me dije se kryetari i Konferencës së Rektorëve drejton konferencën midis dy mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme, gjithashtu ai drejton mbledhjet dhe ndjek realizimin e vendimeve të marra nga Asambleja e Përgjithshme. Kryetari i Konferencës së Rektorëve kontrollon punën e komisioneve dhe i propozon Asamblesë së Përgjithshme diskutimin e problemeve që kanë të bëjnë me Arsimin e Lartë në vend dhe zhvillimet e tij, gjithashtu kryetari i Konferencës së Rektorëve cakton datën, orën e vendin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, kryetari i Konferencës së Rektorëve largohet nga detyra para përfundimit të mandatit, vetëm kur ai jep dorëheqjen ose pezullohet apo largohet nga detyra e drejtuesit të institucionit që përfaqëson. Gjithashtu, ai largohet nga detyra kur shkarkohet nga Asambleja e Përgjithshme për shkelje të ligjeve, të këtij statuti apo vendimeve të Asamblesë, Statutit të Konferencës së Rektorëve. Bëhet me dije se statuti hyn në fuqi ditën e miratimit të tij nga ministria.