E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klima e biznesit, Berisha mbledh Task-Force

Klima e biznesit është vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes së Kryeministrit Berisha. Ai ka kërkuar dje vazhdimin e reformës rregullatore, që synon përmirësimin e klimës së biznesit. Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua dje takimi i Task-Forcës për reformën rregullatore, që mori edhe një herë tjetër në shqyrtim marrëdhënien midis qeverisë dhe biznesit shqiptar. Konkretisht, dje u diskutua për ecurinë e procesit të heqjes së licencave dhe lehtësimin e kërkesave dhe formaliteteve, që duhen plotësuar për rastet kur mbajtja e licencave është një akt që i shërben mbrojtjes së interesit të publikut. Kryeministri kërkoi që brenda javës së ardhshme të përfundohet edhe baza ligjore e nënligjore që kërkohet për të plotësuar këtë aspekt të reformës, që ndikon jo vetëm në lehtësimin e klimës së biznesit, por në veçanti dhe në luftën ndaj korrupsionit dhe krijimin e një ambienti të një konkurrence të barabartë mbi bazën e standardeve të tregut.

Por çfarë mundësish ka realisht ekonomia shqiptare për të përballuar presionin e konkurrencës dhe faktorët e tregut, që operojnë brenda ekonomive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian? Si ndikon në këtë drejtim, çfarë mjedisi ofron qeveria shqiptare për sektorin privat të ekonomisë vendase? Sipas Progres-Raportit të BE-së më të fundit, rritja dhe stabiliteti ekonomik i Shqipërisë kanë vazhduar të mbeten në nivele relativisht të mira, pavarësisht nga presioni në kah të kundërt, i ushtruar nga kriza energjetike, e cila ka filluar të ushtrojë ndikimin e saj që nga viti 2005 mbi vendin. Por, BE nuk lë në heshtje faktin që, sipas tij, klima e biznesit mbetet shumë e dobët dhe kërkon, për këtë, të merren masa të tjera të rëndësishme përmirësuese. Mangësitë e trashëguara të gjyqësorit, paqartësia lidhur me të drejtën e pronës, niveli i lartë i korrupsionit, infrastruktura e papërshtatshme dhe furnizimi me ndërprerje i energjisë elektrike, veçanërisht, vazhdojnë, sipas BE, të pengojnë zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Në fushën e klimës së biznesit për industrinë dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, raporti i BE-së konstaton se është shënuar pak progres. Për t’u përmendur janë disa arritje. Kështu, kompanitë e ndryshme tashmë në vendin tonë janë në gjendje të përdorin një numër unik identifikimi në marrëdhëniet e tyre me institucionet e tjera të administratës publike. Ndërkohë, shënohet si hap pozitiv fakti që qeveria tashmë ka miratuar legjislacionin, në bazë të të cilit miratohet krijimi i një qendre kombëtare të regjistrimit të biznesit, që ndryshon procedurën e këtij regjistrimi, duke e larguar nga administrimi i gjykatave, për ta adresuar atë drejt një procesi më të thjeshtëzuar administrativ. Kjo qendër funksionon tashmë si një “one stop shop”, ku të mund të realizohet regjistrimi i një biznesi brenda një dite të vetme. Ndërkohë, në raport theksohet se qeveria ka miratuar një strategji afatmesme (2007-2009), për të promovuar konkurrencën midis ndërmarrjeve të mesme e të vogla. Kjo strategji synon promovimin e kulturës së sipërmarrjes, të përmirësojë klimën e biznesit, të rritë aftësinë konkurruese dhe të përmirësojë financimet e SME-ve. Sipas BE, agjencia “Albinvest”, që është përgjegjëse për promovimin e SME-ve, të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, ka ndërmarrë hapa në drejtim të marketimit për investimet e huaja dhe mbështetjen e biznesit, duke përfshirë këtu përgatitjen e studimeve lidhur me zona të mundshme eksporti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›