E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat; QSUT-ja furnizohet me ilaçe në korrik



Mungesën e ilaçeve spitalet e vendit do ta vuajnë edhe për një muaj. Furnizimi me medikamentet e domosdoshme do të bëhet e mundur vetëm pas hapjes së tenderit nga ana e strukturave përkatëse dhe më pas shpalljes së fituesit për prokurimin e tyre. Kjo procedurë, duke respektuar afatet ligjore, ka një kohëzgjatje kohore prej gati 30 ditësh për blerjen e tyre. Spitalet e vendit pajisjen kështu me ilaçe vetëm në muajin korrik, afati i fundit që i është lënë Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e tyre.

Tenderat

Pas alarmit të dhënë nga drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për krizën e ilaçeve që pritet të kaplojë këto spitale, zyra e shtypit pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka deklaruar se ky dikaster ka hapur procedurat e tenderimit për blerjen e medikamenteve. Gjithashtu, bëhet e ditur se në vonesën e hapjes së procedurave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për materialet e mjekimit, ka ndikuar edhe aplikimi i TVSH-së për këta artikujt, çfarë ka kërkuar rishikimin e fondeve të vëna në dispozicion për këta artikuj duke riplanifikuar sasitë e secilit artikull, në bazë të kërkesave të spitaleve si dhe të mundësive financiare që spitalet dispononin për plotësimin e këtyre kërkesave. Ndërkohë që bëhet me dije se brenda muajit qershor, nëpërmjet procedurave me negocim, pa botim paraprak të njoftimit, parashikohet që të arrihet kontraktimi i 87 medikamenteve që rezultojnë të regjistruara për qarkullim nga një kompani e vetme, me një fond limit prej 424 000 000 lekësh. Rreth 20 spitale të vendit, të cilat kanë rezerva të mëdha medikamentesh dhe materialesh mjekimi (pasi një pjesë e madhe e pacientëve nga rrethet drejtohet në Tiranë), kanë ofruar një javë më parë sasi të konsiderueshme medikamentesh dhe materialesh mjekimi (rreth 18 milionë lekë të vjetra), për t’i paraprirë çdo problemi. Nga ana tjetër, MSH-ja sqaron se QSUT-ja dhe gjithë spitalet e tjera janë udhëzuar nga Ministria e Shëndetësisë për të përdorur të gjitha hapësirat ligjore të prokurimit për furnizimin me artikuj emergjentë (medikamente ose materiale të tjera mjekimi), mungesa e të cilave mund të rrezikonte jetën e pacientëve. Gjithashtu, zyra e shtypit pranë Ministrisë së Shëndetësisë deklaron se QSUT-ja fondin e medikamenteve për vitin 2007 e ka nisur në muajin korrik të 2007-ës dhe duke qenë se fondi është 1-vjeçar, përfundon në muajin korrik të 2008-ës. Ndonëse nga ana e drejtorisë së këtyre spitaleve është deklaruar se kriza e ilaçeve mund të përfshijë këto spitale brenda tri javëve, MSH-ja hedh gjithçka poshtë duke deklaruar se fondi vjetor i tyre është dhënë në korrik të vitit të kaluar dhe ai akoma nuk është përfunduar dhe se në këto spitale ka rezerva të mjaftueshme për të përballuar çdo lloj krize.

Ilaçet që blihen në korrik

1. furnizimi i spitaleve me medikamente (metabolizmi, trakti tretës, organeve sensoriale etj.), fondi prej 86 653 209 lekësh

Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar me 10.07.2008

2. furnizimi i spitaleve me medikamente (sistemi genito-urinar, hormonale, sistemi kardiovaskular, nervor etj.) me fond limit 84 437 839 lekë pa TVSH

Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar më 11.07.2008

3. furnizimi i spitaleve me medikamente (sistemi psikiatrik, anestezi-reanimacion, respirator, gjaku, etj.) me fond limit 93 118 439 lekë

Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar me 11.07.2008

4. furnizimi i spitaleve me medikamente (sistemi anti-infektiv, gjaku) me fond limit 92 278 502 lekë.

Data e hapjes së ofertave nëpërmjet procedurave të prokurimit elektronik është caktuar me 14.07.2008

5. materiale konsumi për shërbimin e hemodializës 82 607 300 lekë pa TVSH

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›