E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jorgjia Truja, figurë e emancipimit kulturor shqiptar

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së këngëtares lirike Jorgjia Truja dje u organizua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit një aktivitet gjatë të cilit u prezantua libri Pasioni i një artistejesi dhe filmi dokumentar Grykargjendja Jorgjia Trujame regji nga Ylli Pepo. Personalitete të artit dhe kulturës në vend në fjalët e tyre vlerësuan veprën dhe jetën artistike të saj, duke u shprehur se ajo i përkiste një prej artisteve, e cila dha një kontribut të çmuar në artin shqiptar. Drejtori i TKOB Zhani Ciko u shpreh se këngëtarja i përkiste një prej figurave të emancipimit kulturor shqiptar. Emri Jorgjia Truja përfaqëson në brezin e Yjeve të plejadës së parë të artistëve lirikë shqiptar një personalitet të veçantë, të kompletuar dhe me diapazon të gjerë të veprimtarie artistike, pedagogjike dhe regjisoriale. Jo rastësisht ajo paraqitet denjësisht si një nga figurat kryesore të emancipimit kulturor e artistik të femrës shqiptare, pohoi ai. Si një prej nxënëseve të Jorgjia Trujës, Suzana Turku zv/ministrja e TKRS u shpreh se Jorgjia Truja krijoi një model për sa i përket punës në grup. Ajo arriti të ngjisë në skenë mjaft shfaqje dinjitoze. Ajo është spikatur në vitet `30 në fushën e muzikës,duke dhënë një kontribut të çmuar. Për të përshkruar në tërësi artistë si Jorgjie Truja do të duhet një reflektim i gjatë. Unë e kam njohur atë në vitet 70 në përfundim të studimeve të mia dhe ajo do të ngelet për mua një grua e ëmbël, e dashur e mbi të gjitha që më ka inkurajuar e drejtuar në rrugën e dirizhimit. Ajo krijoi një model për sa i përket punës me grupet kolektive, dirigjimin e drejtë vokal e kështu me radhë ajo la një kontribut të madh me punën e saj si pedagoge dhe dirigjente e regjisore. Tani në vigjilje të këtij 100-vjetori jam unë që duhet të kujdesem që ajo të marrë vendin e merituar. Kryetari i shoqatës Tirana, Arben Tafaj i dorëzoi vajzës së Jorgjia Trujës, dekoratën Mirënjohja Tiranase me motivacionin për kontributin e dhënë në themelimin e shkollës shqiptare të kantos. Në kuadrin e 5-vjetorit të Konkursit Mbarëkombëtar të Zërave Lirikë Jorgjia Truja dje u zhvillua dhe finalja e tij. Konkursi erdhi falë nismës së Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve. Ai u iniciua nga dirigjentja Suzana Turku për të inkurajuar brezin e artistëve të rinj nëpërmjet një ballafaqimi skenik e formues përpara specialistëve pedagogë të karrierës të huaj dhe shqiptarë. Mbështetja e institucioneve si MTKRS, Epta-Albania, dhe Instituti Italian i Kulturës me z. Atilio de Gasperi si dhe e personaliteteve të kulturës si violinist Ibrahim Madhi e kompozitori Isak Shehu u rrit nga viti në vit, duke sjellë kësisoj suksese të dukshme për artistët e rinj në evenimente artistike dhe koncerte brenda e jashtë vendit. Në orën 19.00, në sallën e madhe të TKOB u dha një Koncert Gala dhe si dhe u bë ndarja e çmimeve. Të ftuar ishin Shqipe Zani, Mirsa Adami, Etleva Golemi. Dirigjent Alqi Lepuri (Artist i Merituar). Ndërkohë që, Drejtor Artistik ishte Arben Llozi dhe tingujt magjikë të kësaj mbrëmjeje erdhën të realizuar nga orkestra e TKOB. Jorgjia Truja u lind në qytetin e Korçës në vitin 1909 dhe u nda nga jeta në vitin 1994. Ka studiuar në Konservatorin Santa Cecilia në Romë në vitin 1927. Jorgjia ka qenë një ndër nismëtaret e hapjes së Liceut Artistik, ku kreu dhe detyrën e pedagoges së kantos dhe dirigjimit. Ajo përfaqëson një nga emrat më të spikatur të këngëtarëve lirikë në Shqipëri. Truja ka interpretuar një sërë veprash të rëndësishme si Butterfly, Rusalka, La Traviata, Dasma e Figaros, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›