Jorida Tabaku zhvillon takim me Hofreiter: Shqipëria të vendosë midis korrupsionit dhe anëtarësimit në BE

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në cilësinë e bashkëkryetares së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, zhvilloi një takim me Anton Hofreiter, kryetar i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman.
Hofreiter ndodhet në Tiranë për një seri takimesh të nivelit të lartë mbi rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë: mes një Shqipërie që bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe një Shqipërie që largohet nga BE-ja dhe vlerat e saj”, theksoi Tabaku.
Sipas saj, integrimi nuk mund të kufizohet te retorika politike apo miratimi formal i ligjeve. Ai kërkon një shtet të së drejtës, ku drejtësia nuk pengohet përmes forcës së kartonëve dhe ku procesi ligjvënës nuk shndërrohet në noter të interesave të një pakice.
“Nëse sot Shqipëria gjendet pas Malit të Zi dhe ende e papërgatitur për fazat vendimtare të negociatave, kjo është pasojë e një qeverisjeje që nuk ka treguar vullnet për të zbatuar frymën dhe germën e legjislacionit të Bashkimit Europian”, u shpreh deputetja demokrate.
Tabaku nënvizoi se opozita mbetet e angazhuar për një proces integrimi të bazuar te merita, llogaridhënia dhe forcimi i institucioneve.
Sipas saj, mbështetja e Gjermanisë është thelbësore, por përgjegjësia për përmbushjen e kushteve dhe zbatimin real të reformave u takon institucioneve shqiptare.