E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josa Nuk jemi Barcelona e pranojme edhe barazimin

Kampionati Vllaznia do të jetë shansi i fundit për Blankon. Hidi polemizon për kalendarin

Vllaznia sfidon sot Dinamon në kryeqytet për të mbyllur 2010-n në ngjitje. Do të jetë pikërisht kjo një nga sfidat më interesante të javës së 16 të Kategorisë Superiore, e cila do të hapë siparin sot, edhe me dy sfidat e tjera, Skënderbeu-Elbasani dhe Flamurtari-Teuta, përballje që pritet të përcaktojnë edhe kampionin simbolik të dimrit në Superiore për këtë edicion.

Një fitore e kuqebluve ndaj kampionëve në fuqi të vendit, do të ruante jo vetëm kahun për lart të lëvizjes së tyre, por edhe do t’i përcaktonte automatikisht si pretendentët më të fortë për të luftuar për titullin kampion në gjysmën e dytë të sezonit. “Për çdokënd është normale që tashmë të mendojë për një Vllazni pretendente dhe sigurisht që edhe unë si trajner i saj kam këto ide dhe mendime në kokë, thotë edhe vetë trajneri Mirel Josa. Por nuk duhet ta marrim kaq lehtë. Kampionati sa vjen e bëhet më i vështirë. Nëse deri tani kemi bërë një punë të mirë, këtë punë duhet ta vazhdojmë edhe më tej, sepse ndryshe nuk ka kuptim”. Por ky i fundit e di mirë se nuk do ta ketë të lehtë ndaj Dinamos. “Do të luajmë ndaj Dinamos dhe e gjithë vëmendja është e përqendruar te ky 90-minutësh. Ndaj kësaj skuadre duhet bërë shumë kujdes, sepse ka në përbërje lojtarë shumë të mirë”, ka thënë drejtuesi i pankinës shkodrane. Gjithsesi, nën zë njerëz pranë Vllaznisë flasin për një skuadër më të kujdesshme në fushë në ndeshjen e sotme ndaj Dinamos. Kjo, për faktin se shkodranëve në këtë përballje mund t’ju shkojë për shtat edhe një barazim. Prandaj, trajneri Josa pritet të ndryshojë diçka në skuadër, duke përqendruar më shumë forca në mesfushë, ku edhe pritet të zhvillohen dyluftimet më të forta. “Do të synojmë të vazhdojmë këtë rrugë, përforcon më tej Josa, por kjo nuk do të thotë se nuk do humbasim edhe ne. Vllaznia s’është Barcelona, nuk mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. E rëndësishme është që jemi mes skuadrave të para”. Krejt ndryshe është situata për Dinamon. Javët e fundit ka pësuar një rënie drastike dhe tashmë shikon veten në vendin e pestë me 24 pikë, 7 më pak sesa Flamurtari i vendit të parë. Po ashtu, ndeshja më Vllazninë ka shumë gjasa të jetë shansi i fundit për trajnerin Blanko, i cili rrezikon shkarkimin. Për dinamovitët do mungojnë Bakaj dhe Orelesi. Para gazetarëve ka dalë Isli Hidi, i cili ka polemizuar në lidhje me kalendarin por edhe e vlerëson kundërshtarin: “Edhe kalendarin e kemi kundër. Ne luajtëm të hënën dhe do luajmë të enjten. Vllaznia ka bërë 24 orë më shumë pushim, pasi luajti të dielën”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›